Fjalë Kyçe

Kështu ndodhi ngjarja tragjike në Brezovicë

Kështu ndodhi ngjarja tragjike në Brezovicë

Rreth orës 14:00 të ditës sotme ka ndodhur një ngjarje e rëndë në qendrën e skijimit në Brezovicë.

Arian Daci, Zëvendësministër i Diasporës, njëherësh i biri i kryetarit të Akademisë së Shkencave të Kosovës, Nexhat Daci, derisa ishte duke skijuar bashkë me një grup skiatorësh, ka mbetur i vdekur si pasojë e një orteku të rënë në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”, raporton Koha.net.

Bashkë me të ndjerin Daci, ka qenë edhe Ardian Bakalli, i cili po ashtu ka mbetur i ngujuar nga orteku, por që për fat të mirë, ka shpëtuar. Ai është në gjendje të mirë shëndetësore.

Lajmin për vdekjen e Dacit e ka konfirmuar Ilir Morina, drejtori i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë.

Nënkolonel Basri Shabani, nga Policia në Rajonin e Ferizajt, ka thënë se të gjitha ekipet janë lajmëruar dhe janë duke ardhur tashmë në vend të ngjarjes.

Ekipi i KTV-së që po qëndron në Brezovicë, raporton se trupi i viktimës ka arritur në qendër të skijimit dhe aktualisht po mbahet në bodrumin e një prej hoteleve, ku është marrë nga mantelbardhët. Para këtij objekti po qëndrojnë forca të Policisë së Kosovës të cilët nuk po lejojnë të hyjë askush i paautorizuar në vendin ku po qëndron trupi i pajetë i Dacit.

Mësohet po ashtu se me të ndjerin Daci, gjatë kohës kur ka rënë orteku, ka qenë edhe një grup tjetër skiatorësh, por që të njëjtit kanë shpëtuar pasi kanë qenë të pajisur me pajisje mbrojtëse.

Nga Brezovica, KTV-së i kanë thënë se i ndjeri dhe grupi tjetër i skiatorëve kanë skijuar në vende ku zakonisht nuk skijohet, që janë pjesë shumë të pjerrëta.

Mësohet po ashtu se Daci ka qenë pa shenja jete në kohën kur është nxjerrë nga thellësia e borës.

Kujtojmë se në vendin e njëjtë, rreth një vit më parë, ka vdekur edhe një person nga Ferizaj.