Mbrëmjen e së martës janë bastisur nëntë lokacione të ndryshme në rajonin e Gjakovës. Kjo është bërë nga Drejtoria për hetimin e krimit të organizimit, me urdhër të Gjykatës Themelore të Gjakovës, nën dyshimin se në ato vende po zhvilloheshin veprimtari të jashtëligjshme të lojërave të fatit. Me këtë rast janë arrestuar nëntë persona, një prej tyre është liruar pasi nuk ka qenë i përfshirë, ndërkaq Prokuroria ka nisur hetimet dhe pritet të caktojë masën ndaj të arrestuarve, shkruan Gazeta Express
Aksioni i policisë i quajtur “Basti”, i ka prangosur të martën nëntë persona në rajonin e Gjakovës. Njëri prej tyre më pas është liruar në procedurë të rregullt, pasi nuk ka qenë i përfshirë në rast.
Tetë personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq gjatë ditës së sotme pritet që prokurori i rastit të bëjë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Një ndër lokacionet që është bastisur është edhe një lokal që funksiononte si ëmbëltore ndërkaq dyshohet se aty zhvillohej veprimtari ilegale e lojërave të fatit.
Gazeta Express mëson se të arrestuarit nën dyshimin se kanë kryer veprimtarinë e jashtëligjshme të lojërave të fatit janë: Ismet Bushati 43-vjeçar, Baton Mullazenuni 26-vjeçar, Valon Puka 38-vjeçar, Armend Shoshi 30-vjeçar, Egzon Nimani 31-vjeçar, Jeton Beqiri 39-vjeçar, Luan Azemaj 27-vjeçar dhe Gentian Alia 30-vjeçar.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Gjakovës, Yllka Shehu, tha për Express se gjatë ditës së sotme do të bëhet kërkesa për shqiptimin e masës së paraburgimit ndaj të arrestuarve.
“Bastisja e mbrëmshme është bërë me urdhër të Gjykatës Themelore të Gjakovës, pas informatave se po zhvillohet veprimtari e jashtëligjshme e lojërave të fatit në ato lokacione. Janë arrestuar nëntë persona, një prej tyre është liruar në procedurë të rregullt sepse nuk ka qenë i përfshirë. Tetë të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Gjatë ditës së sotme pritet të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndërkaq nesër do të mbahet seanca dhe të merret vendimi”, tha Shehu.
Lojërat e fatit cilësohen si veprimtari e jashtëligjshme pas shfuqizimit të Ligjit për Lojërat e Fatit të iniciuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Ky ndryshim i Ligjit ka ardhur si pasojë e vdekjes së dy të rinjve pikërisht në lokalet e lojërave të fatit.
Kuvendi i Kosovës e kishte votuar shfuqizimin e Ligjit që ua lejon lojërave të fatit veprimtarinë brenda territorit të Kosovës, ndërkaq ka hyrë në fuqi Ligji i cili e ndalon këtë veprimtari në për 10 vjetët e ardhshme./GazetaExpress