Fjalë Kyçe

Këtë javë mbahet seanca e radhës e gjykimit të Gucatit e Haradinajt

Këtë javë mbahet seanca e radhës e gjykimit të Gucatit e Haradinajt

Konferenca e pestë për ecurinë e çështjes kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt do të mbahet të premten, më 28 maj, në orën 11:00, ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs.

Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka dërguar në Gjykatën e Apelit vazhdimin e paraburgimit të tij nga Dhomat e Specializuara.

Më 24 dhjetor 2020, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi që t’i vazhdohet paraburgimi Haradinajt dhe mohoi kërkesën e tij për një seancë dëgjimore për këtë çështje.

Më 5 janar Haradinaj ka apeluar ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, por Paneli i Gjykatës së Apelit pranë Dhomave të Specializuara ka refuzuar apelin e Nasim Haradinaj kundër vendimit për mbajtjen e tij të mëtejshme në paraburgim.