Fjalë Kyçe

Këto janë aktivitetet që i ka përcaktuar Komuna e Drenasit për ditën e Pavarësisë

Këto janë aktivitetet që i ka përcaktuar Komuna e Drenasit për ditën e Pavarësisë

Në komunën e Drenasit, për nderë të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës janë zhvilluar një sërë aktivitetesh.

Në përkujtim të 11-vjetorit  të Pavarësisë së Kosovës, kryetari Ramiz Lladrovci, me anëtarët e kabinetit të tij, drejtorët e drejtorive komunale, asamblistë dhe shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, kanë  bërë homazhe fillimisht  para shtatores së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit dhe pastaj kanë vazhduar në drejtim të sheshit të komunës  së Skenderajt, ku bashkë me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, me ushtarakë të Ushtrisë së Kosovës, zyrtarë nga Policia e Kosovës, përfaqësues të Shoqatave të dala nga lufta, dhe qytetarë të shumtë, kanë vendosur kurora lulesh dhe kanë bërë homazhe para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Pastaj delegacionet bashkërisht kanë vazhduar nderimet në Kompleksin e Jasharëve në Prekaz dhe në Kompleksin Varrezat e Dëshmorëve në Marinë.

Homazhet kanë vazhduar ne të gjitha varrezat e Dëshmorëve të Komunës së Drenasit ku janë vendosur edhe kurora me lule.

Homazhet janë bërë në; varrezat e dëshmorëve të Çikatovës së Vjetër, Gllanasellë, Likoshan, Krajkovë, Negroc, Poklek, Nekoc, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtutucë, Damanek, Baicë, Abri dhe Tërdec.

Kryetari Lladrovci ka uruar gjithë qytetarët e Komunës së Drenasit dhe gjithë shqiptarëve festën e 11-vjetorit të Pavarësisë.

“Sot, ashtu si në çdo përvjetor, kujtojmë me nderim, heronjtë, dëshmorët dhe martirët, si dhe të gjithë kontribuuesit për lirinë dhe çlirimin e Republikës së Kosovës. Në të gjitha komplekset e varrezave të dëshmorëve të komunës tonë, pranë varreve të dëshmorëve, kemi shprehur nderim, dhe kemi vendosur kurora me lule, si dhe pranë shtatores së heroit dhe heroinës, Fehmi e Xhevë Lladrovci. Po ashtu, kemi bërë nderime në Kompleksin memorial të Jasharëve në Prekaz, në shenjë mirënjohjeje të përjetshme për Komandantin tonë legjendar Adem Jasharin dhe anëtarët tjerë të Familjes Jashari. Urime 11 vjetori i Pavarësisë”, ka thënë kryetari Lladrovci.

Ndërsa në ora 13.00 në Sallën e Kuvendit të komunës u mbajt mbledhja solemne ku merrnin pjesë, nënkryetari i Komunës, asambleist, drejtor të drejtorive komunale, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

Mbledhja është kryesuar nga Gani Podrimqaku.

Nënkryetari Sylaj në fjalën e rastit pasi i përshëndeti të gjithë të pranishmit, vendorë e të huaj shprehu falënderimet dhe konsideratën  për kontributin e  të  rënëve dhe të gjithë popullit si dhe  falënderoi shtetet mike për ndihmën e dhënë  gjatë etapave të ndryshme historike  e ndaj të cilave shteti unë u mbetet mirënjohës përgjithmonë.

Sylaj bëri një përmbledhje të sukseseve të  shumta të arritura nga Komuna jonë në fushat e ndryshme  me rëndësi për qeverisje të mirë, ai  shprehu përkushtimin se ky angazhim do të vazhdojë duke u rritur edhe më shumë në të ardhmen dhe se  suksese të reja e presin Drenasin në të ardhmen.

Për të përmbyllur aktivitetet e 11-vjetorit të Pavarësisë, në Sallën e Kulturës është mbajtur një program i pasur kulturor e artistik me shoqëritë kulturore e artistike të Komunës së Drenasit dhe talent e talente të këndimit e vallëzimit në Komunën e Drenasit.