Fjalë Kyçe

Këto janë të gjitha nga Kuvendi i Rregullt i Punës i FFK-së

Këto janë të gjitha nga Kuvendi i Rregullt i Punës i FFK-së

Federata e Futbollit e Kosovës e ka mbajtur Kuvendin e Rregullt të Punës, shkruan GazetaAlo.

Punimet e këtij kuvendi i ndoqi nga afër presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili kësaj radhe ishte i deleguar nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin në rolin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, në shoqëri të përfaqësuesit tjetër të UEFA-s, Denis Bastari, derisa të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e MKRS-së dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

Në punimet e Kuvendit morën pjesë 56 nga 58 delegatë, e ku pasi u votuan trupat punuese dhe u konstatua kuorumi mbledhja e Kuvendit vazhdoi me rendin e ditës.

Fillimisht presidenti Agim Ademi iu drejtua kuvendarëve me një fjalë rasti ku ndër të tjera theksoi: “Rruga për të arritur deri këtu ku jemi sot ka qenë shumë e gjatë dhe e mundimshme. Gjatë këtij rrugëtimi ka nga ata që nuk janë në mesin tonë, ka nga ata që kanë bankrotuar duke e dhënë edhe metelikun e fundit për futbollin e Kosovës nëpër klubet e tyre në një periudhë tejet të vështirë, gjithnjë për misionin e shenjtë – mbajtjen gjallë të lojës së futbollit, andaj nga ky vend unë i përkulem veprës së tyre dhe gjithë asaj çfarë ata kanë bërë për futbollin. Për mua, këta njerëz; donatorë, lojtarë dhe trajnerë janë heronjtë e futbollit dhe sportit kosovarë. Janë pikërisht ata që e ndërtuan shtëpinë që ne sot e quajmë Federata e Futbollit e Kosovës. Etapa e përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e FFK-së u krye me sukses, pas një pune të jashtëzakonshme, ku meritë të veçantë kishte presidenti tashmë i ndjerë, Fadil Vokrri, së bashku me stafin e tij.

Pas gjithë atyre sakrificave të kaluara tash e gati tri vjet jemi në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit, në FIFA e UEFA. Tani jemi të radhitur pranë shteteve civilizuese ku duhet t’i përfillim rregullat e përcaktuara me akte normative dhe të sillemi dhe të reflektojmë si institucion serioz dhe kredibil. Unë i takoj dy etapave të futbollit – Asaj të pavarësimit dhe asaj të ndërkombëtarizimit. Jam nga ata njerëz që kanë dhënë për futbollin dhe jo nga ata që kanë marrë nga futbolli, andaj unë i di shqetësimet, dhimbjet, pritjet e nganjëherë edhe hidhërimet sepse nuk jemi të përkryer.

Ne jemi Federata më e re në FIFA, por besoj fuqishëm që së bashku do t’ia dalim. Gjatë periudhës prej se ma keni besuar drejtimin e FFK-së, konsideroj se kemi punuar shumë dhe kemi arritur suksese të mëdha, si në aspektin e rezultateve, ashtu edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe në organizim të garave, andaj ndihem shumë i nderuar dhe i lumtur që po i prij këtij institucioni i cili po i sjell kënaqësi një kombi të tërë”.

Më pas një fjalë rasti e ka mbajtur edhe anëtari i KE të UEFA-së dhe njëherësh presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ndër të tjera u shpreh: “Ndjehem i nderuar që ndodhem sot këtu në këtë Kuvend të Punës, jo vetëm si mik i juaji por edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, prandaj më lejoni t’ju përcjellë përshëndetjet e përzemërta të presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, i cili konfirmon edhe njëherë mbështetjen e tij të plotë për punën e madhe që është bërë në zhvillimin e futbollit në Kosovë. Ndjehem i nderuar, por në të njëjtën kohë edhe i trishtuar që në këtë sallë nuk e kam mikun tim dhe legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. FFK-ja në vitet e fundit ka bërë hapa të mëdhenj, duke filluar nga anëtarësimi në organizmat ndërkombëtar FIFA e UEFA deri tek projektet e shumta të zhvillimit të futbollit në Kosovë, në ndërtimin e fushave të futbollit dhe në rindërtimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’, të filluara nga presidenti Vokrri dhe të vazhduara nga presidenti Ademi, i cili ka vënë në shërbim të FFK-së të gjithë disponibilitetin e tij për të bërë më të mirën e mundshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë. Në këtë fazë ku ndodhet futbolli i Kosovës kërkon mirëkuptimin, mbështetjen dhe dashamirësinë e të gjithëve dhe të gjitha institucioneve publike dhe atyre shoqërore. UEFA ka treguar në gjithë këto vite se është një aleat i fortë i futbollit të Kosovës dhe janë bërë investime të rëndësishme në bashkëpunim me FFK-në dhe këto investime dhe projekte nuk do të mungojnë as në të ardhmen. UEFA dhe lidershipi i saj janë në mbështetje të plotë të FFK-së dhe të presidentit të saj Agim Ademi, për të vazhduar rrugën e zhvillimit dhe të suksesit të futbollit në Kosovë”.

Tutje presidenti Ademi ka shpalosur nëpërmjet videoprojektorit aktivitetet dhe të arriturat e FFK-së në periudhën 2018/2019, derisa ka bërë të ditur se propozimi për reformim të ligave, i cili parasheh që Superliga të ketë 10 klube tashmë është dorëzuar në klube në të gjitha regjionet dhe është përkrahur si ide.

Më pas janë aprovuar me unanimitet Raporti i Punës, Raporti Financiar dhe Raporti i Garave për vitin 2018. Ndërkohë në pikën e fundit të rendit të ditës, delegati Abedin Zeka ka propozuar që të miratohet një pension për bashkëshorten e ish-presidentit Fadil Vokrri, propozim i cili është mbështetur nga presidenti Ademi dhe është miratuar nga delegatët e Kuvendit. Ndërkohë, punimet e këtij Kuvendi janë mbyllur me një minutë duartrokitje për nder të ish-presidentit dhe legjendës, Fadil Vokrri. /GazetaAlo