Fjalë Kyçe

Këto rritje i ka sjellë Kosovës taksa 100% ndaj Serbisë

Këto rritje i ka sjellë Kosovës taksa 100% ndaj Serbisë

Taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe ka sjellë rezultate pozitive në aspektin e rritjes së prodhimit të produkteve vendore.

Madje, krahas rritjes së prodhimit taksa ka sjellë edhe rritje të punësimit në Kosovë.

Kështu ka thënë për Indeksonline, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, i cili thotë se me shitjen e produkteve serbe në Kosovë ka qenë një konkurrencë jolojale.

“Ne besojmë se taksa 100 për qind që i është aplikuar Serbisë është duke sjellë rezultate pozitive në aspektin e rritjes së prodhimit të produkteve në Kosovë. Duke pasur parasysh se kemi pasur konkurrencë jolojale nga produktet serbe që kanë ardhur në Kosovë dhe janë shitur nën kosto të prodhimit, atëherë rrjedhimisht me vënien e taksës 100 për qind, këto produkte më nuk janë konkurruese në Kosovë dhe nuk janë duke dëmtuar tregun. Për këtë arsye, prodhuesit e Kosovës tash janë më konkurrent dhe disa prej tyre, nuk kemi të dhëna të sakta, më kanë informuar se krahas rritjes së prodhimit ka edhe rritje të punësimit”, ka deklaruar Panxha.

I pyetur nëse ka rritje të çmimit të produkteve vendore, ai e ka mohuar një gjë të tillë. Sipas tij, përveç rritjes së çmimit të bukës nëpër disa furra nuk ka informata se prodhuesit tjerë vendor kanë rritur çmimet e produkteve.
Ndërsa, ai shton se në mungesë të produkteve serbe Kosova do mund t’i zëvendësojë ato edhe me produktet e shteteve tjera siç janë Shqipëria, Maqedonia e vendet e tjera evropiane.

“Prodhuesit e Kosovës asnjëherë nuk janë varur nga produktet e Serbisë. Kanë kapacitet të mjaftueshëm për të prodhuar, por jo të gjitha produktet e Serbisë do të zëvendësohen nga produktet e Kosovës, ka edhe alternativa tjera, prej Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë e vende të BE-së, kështu që nuk shohim se do të kemi problem të mungesës së ndonjë produkti apo mungesë të furnizimeve”, ka shtuar ai.

Ndryshe, duhet cekur se përkundër presionit të Bashkimit Evropian që të hiqet taksa 100 për qind ndaj Serbisë, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do vazhdojë me një qëndrim të tillë derisa të ketë njohje reciproke me Serbinë.

Me vendosje e taksës humbje të madhe ka shënuar ekonomia e Serbisë. Sipas kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, nga vendosja e kësaj takse Serbia në muaj humb rreth 42 milionë euro.