Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, teksa ka komentuar deklarimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për një intervenim ushtarak të Serbisë në veri të Kosovës, ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë shenjë se diçka e tillë mund të ndodh.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Grasso ka thënë se janë në kontakt me të gjitha institucionet e sigurisë në të dy vendet, me qëllim të parandalimit të ndonjë të papriture që mund të dëmtojë Kosovën dhe Serbinë.
“Sipas situatës aktuale nuk ka asnjë shenjë se ngjarje të tilla të tmerrshme mund të ndodhin. KFOR-i mban marrëdhënie të vazhdueshme dhe të mira me të gjithë akterët e sigurisë në Kosovës, si dhe me Forcat e Armatosura Serbe, me qëllim të parandalimit të ndonjë veprimi të papritur që mund të jetë i dëmshëm edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, ka thënë Grasso.
I pyetur nëse KFOR-i dhe NATO-ja janë të shqetësuar lidhur me këto deklarata, Grasso thotë se e vetmja arsye aktuale për shqetësim janë deklarimet që po përdoren.
“Nuk kemi ndonjë indikacion apo arsye për t’u shqetësuar. Shqetësimi i vetëm është për shkak të retorikës që po përdoret, sepse krijon një mjedis ku një incident i izoluar mund të përshkallëzohet”, ka thënë ai.
Grasso u ka bërë thirrje të gjithë atyre që mbajnë përgjegjësi për deklarata publike dhe të gjithë mediave, që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë pasoja të rënda me fjalët e tyre.
“KFOR-i u bën thirrje të gjithë folësve dhe mediave të jenë të kujdesshëm që të mos shkaktojnë pasoja më të thella me fjalët e tyre”, potencon ai.
Ai për Express ka treguar se janë duke e monitoruar rregullisht situatën në të gjithë territorin e Kosovës.
“KFOR-i është i pranishëm çdo ditë me LMT-në ( Ekipet ndërlidhës të Monitorimit) dhe rregullisht kontrollojmë dhe monitorojmë situatën në mbarë Kosovën. KFOR-i është plotësisht i angazhuar për mandatin nën Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, me qëllim që të garantojë sigurinë për të gjithë njerëzit në Kosovë”, shton ai.
I pyetur nëse po planifikojnë të rrisin numrin e patrullimeve në veri të Kosovës, Grasso, thotë se KFOR-i kryen aktivitete të përditshme në të territorin e Republikës së Kosovës dhe jo vetëm në veri.
“Ne e bëjmë atë nëpërmjet ushtrimeve, provave dhe vendosjes së trupave si nga toka po ashtu edhe nga ajri. KFOR-i është i gatshëm dhe i përkushtuar për të për të mbrojtur të gjithë njerëzit në Kosovë, pavarësisht vendndodhjes së tyre”, ka potencuar Grasso.
Në fund ai ka bërë thirrje për të gjithë institucionet e sigurisë që të përmbahen nga deklaratat që krijojnë tensione të panevojshme dhe shqetësime të pabaza në mesin e qytetarëve.
“Siç e thash, KFOR-i është vazhdimisht në kontakt me Institucionet e Sigurisë së Kosovës në të gjitha nivelet, si dhe me homologët ushtarak të të gjitha vendeve fqinje. KFOR, fton të gjithë që të përmbahen nga krijimi i tensioneve jo të duhura, të cilat shkaktojnë shqetësime të pabaza në mesin e popullatës”, ka përfunduar zëdhënësi i KFOR-i, Vincenzo Grasso.
Express lidhur me këtë çështje ka kontaktuar sot edhe ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Zëvendësministri Burim Ramdani, ka thënë se do të koordinohet me KFOR-in për çfarëdo rrethane që do të krijohet.
Ndërsa deklaratat e Daçiqit, i ka cilësuar si luftë speciale, e cila është bërë edhe gjatë viteve të 90-ta.
Ndërkohë ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se këto kërcënime të politikanëve serb për ndërhyrje në veri, tregojnë se sa larg dialogut janë Kosova dhe Serbia.