Fjalë Kyçe

Kirurgët vazhdojnë grevën, duan pagë 1,900 euro

Kirurgët vazhdojnë grevën, duan pagë 1,900 euro

Me ligjin e ri të pagave,  Mjeku Specialist në Kosovë paguhet 1,195 euro.

Një pjesë e kirurgëve e kanë braktisur grevën, ndërsa një pjesë tjetër vazhdon të insistoj në koeficientin tetë. E në ministrinë e Shëndetësisë, thonë se janë duke punuar për arritjen e një marrëveshje me ta.

Edhe pse ligji i ri pagave i cili u miratua këtë të shtunë, u siguronte profesionistëve shëndetësor dyfishim të pagave, kirurgët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po vazhdojnë të mbajnë grevë.

Përfaqësuesi i grevistëve Arbër Morina, thotë se nuk janë të kënaqur me kategorizimin që u është bërë dhe do të vazhdojnë me grevë derisa kërkesat e tyre të realizohen.

“Koeficienti 8 [i barasvlefshëm me 1,912 euro] kishte me qenë i kënaqshëm për specialistët e Kosovës, pa përjashtim terciar, sekondar apo primar. Mirëpo nuk është vetëm koeficienti 8, vlera financiare e të cilit kishte me plotësua jetën e kirurgut,  por është edhe dinjiteti dhe respekti që do të fitonte kirurgu në shoqëri”, deklaroi Arbër Morina.

Greva është ndërprerë nga kirurgët e spitaleve rajonale, si dhe nga kirurgjia torakale dhe klinika e ortopedisë. Megjithatë sipas Morinës, të gjitha klinikat e tjera kirurgjike janë duke vazhduar grevën.

Ndërsa, këshilltari i Ministrit të Shëndetësisë, Albatrit Matoshi tha që po punohet për arritjen e një marrëveshje mes Ministrisë dhe kirurgëve në mënyrë që të ndërprehet greva.

“Ne do të vazhdojmë bisedimet edhe me kirurgët që janë në grevë, dhe gjatë këtyre ditëve shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje që edhe ata t’i kthehen punës dhe të merren me rastet që janë mbledhur në klinikat e tyre”, deklaroi Albatrit Matoshi – këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë.

Në të gjitha klinikat ku po vazhdon të mbahet grevë, po trajtohen vetëm rastet emergjente.