Dorëheqja e kryeministrit ka aktivizuar partitë politike në mobilizimin për zgjedhjet e reja, por përfaqësuesit e tyre nuk po bëjnë garë konkurruese për programe dhe ide, përkundrazi po merren me individë të caktuar të partive kundërshtare.
Në këtë drejtim ata nuk po e kursejnë veten nga përdorimi i gjuhës urrejtëse dhe denigruese, duke e rrezikuar kështu integritetin e procesit zgjedhor
Menjëherë pas dorëheqjes së kryetarit të AAK-së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit (më 19 korrik) partitë politike në Kosovë kanë nisur të mobilizohen për zgjedhjet e reja.
Pavarësisht faktit se ende nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur mund të organizohet një proces i ri zgjedhor, përfaqësuesit e subjekteve politike kanë filluar ta godasin opinionin me deklarime elektorale, shkruan më tutje Gazeta ‘Zëri’.
Në anën tjetër zyrtarë të opozitës kanë konsideruar se tentimet për zgjedhjen e një kryeministri të ri pa shkuar fare në zgjedhje janë duke vazhduar ende, pavarësisht faktit se është caktuar seanca për shpërndarjen e Kuvendit. Por megjithëkëtë përfaqësuesit e partive tashmë kanë ashpërsuar gjuhën ndaj njëri-tjetrit.
Thumbimet, akuzat, kundërakuzat, ofendimet, janë disa prej veçorive që po i karakterizojnë deklarimet e zyrtarëve të lartë të partive politike ditëve të fundit.