Fjalë Kyçe

Kjo është mënyra si duhet të hiqet taksa ndaj Serbisë pa dëmtuar tregun e Kosovës

Kjo është mënyra si duhet të hiqet taksa ndaj Serbisë pa dëmtuar tregun e Kosovës

Bashkimi Evropian vështirë sedo të lejojë që taksa e Kosovës prej 100% ndaj produkteve të Serbisë, të bartet si problem për vitin 2019. Mirëpo, kjo taksë duhet të mbetet si kusht për avancimin e Kosovës drejt liberalizimit të vizave dhe integrimit në Bashkimin Evropian, sepse taksa dhe gjendja e tillë nuk mund të zgjasin pafundësisht kështu. Deklarata të tilla ka dhënë ekonomisti Mustafë Kadrijaj për Gazetën Alo, i cili ka potencuar gjithashtu se taksa shtrihet përtej ndikimit ekonomik në atë politik.

Kadrijaj ka tërhequr vërejtjen gjithashtu se taksa duhet të hiqet gradualisht me zvogëlimin e përqindjes dhe jo menjëherë pasi mund të shkaktoj prapë tronditje të tregut.

Kadrijaj ka thënë se duke qenë koshient ndaj BE-së, ende nuk ka një dritë jeshile për lëvizjen e lirë, andaj Kosova nuk humb asgjë me mbajtjen e taksës.

“Duke qenë koshient që BE-ja ende nuk ka një dritë jeshile për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, mendoj qe Kosova nuk do të humb me mbajtjen e taksës prej 100% ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Pra, me këtë Kosova tani e tutje taksën duhet ta përdor si karrem në bisedimet e ardhshme sepse përderisa Serbia vazhdon ta kontestoi dhe minoi pavarësinë e Kosovës, e në anën tjetër BE-ja nuk i tërheq vërejtjen, dhe Kosova nuk ka avancim drejt BE-së taksa duhet të mbetet, dhe me këtë do të përkrahet edhe prodhuesi vendor”, ka thënë Kadrijaj.

Kadrijaj, megjithatë, ka thënë se kjo gjendje nuk mund të vazhdoj pafundësisht:

“Duhet të jemi të qartë se kjo gjendje nuk mund të vazhdoj në pafundësi, sepse një taksë e tillë bie ndesh me ligjin e konkurrencës së lirë, CEFTA-në dhe MSA-në, por edhe nëse do ketë tërheqje të taksës, kjo nuk duhet të ndodhë si zmbrapsje por si pjesë e një marrëveshje të re që ndryshon qasjen e BE-së dhe Serbisë ndaj Kosovës”, ka shtuar Kadrijaj për Gazeta Alo.

Taksa, sidoqoftë, nuk duhet që të tërhiqet menjëherë si total prej 100%, por duhet të jetë një tërheqje graduale, për të mos shkaktuar çrregullime në tregun e Kosovës.

“Taksa e Kosovës ndaj Serbisë, kur të vijë momenti, nuk duhet të tërhiqet si tërësi menjëherë, por të ketë një periudhë kohore që hiqet pjesë pjesë, për shkak se një tërheqje e menjëhershme prej 100% do të ri-trondiste tregun e Kosovës dhe produktet vendore”, ka vazhduar Kadrijaj.

Kadrijaj gjithashtu beson seBE-ja do të tentojë që këtë problem ta zgjidhë brenda këtij viti që mos ta bartë si problem në vitin 2019.

“Mendoj se kjo gjendje duhet të zgjidhet brenda vitit 2018, sepse BE-ja nuk besoj që do të lejojë të bart si problem për vitin 2019. Besoj, se BE-ja do të ulë të dyja palët në tavolinën e bisedimeve dhe të shikojnë nga e ardhmja sepse ky mentalitet i Serbisë dhe reagimi i Kosovës i përket së shkuarës, edhe pse reagimi i Kosovës ishte që t’i bëhej me dije Serbisë që me Kosovën duhet të sillet sikur me një shtet”, ka përfunduar Kadrijaj.

Qeveria e Kosovës, vazhdon qëtë këmbëngulë në mbajtjen e taksës prej 100% ndaj produkteve të Serbisë, përkundër presioneve të vazhdueshme nga BE-ja./GazetaAlo