Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, e ka përshëndetur deklaratën e përbashkët e vendeve të Quintit, në të cilën kërkohet që Kosova ta heqë taksën dhe Serbia ta ndalë ofensivën diplomatike ndaj Kosovës në mënyrë që të rifillojë dialogu.
Ai ka deklaruar se me këtë qëndrim vendet e Quintit po i trajtojnë palët në mënyrë të barabartë, gjë të cilën deri më tani nuk e ka bërë BE-ja.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Reka ka thënë se tani u kërkohet koncesione të dyja palëve.
“Quinti më në fund e bëri atë që nuk e bënte BE-ja: ktheu simetrinë ndaj trajtimit të të dy palëve me dy kërkesa: koncesione reciproke për secilën prej tyre. Deri më tash Brukseli kërkonte koncesione vetëm nga njëra palë, pra që vetëm Kosova ta hiqte taksën, por jo edhe që Serbia t’i hiqte bllokadat diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Reka.
Ai ka bërë me dije se me këtë qëndrim vendet më të fuqishme perëndimore kanë dhënë shpresë për një rifillim të dialogut me një mandat të ri.
“Konsideroj se Quinti, me një qëndrim të tillë të ekuidistancës ndaj dy palëve të barabarta negociuese, dha shpresë për rifillimin e dialogut, por tash me: një mandat të ri, format të ri dhe me trajtim të ri të barabartë ndaj dy palëve negociuese. Fundja, qëndrimin e Quintit pak a shumë e kishte paralajmëruar iniciativa e fundit Merkel – Makron, e filluar në pranverë në Berlin dhe me gjasë me vazhdim në vjeshtë në Paris”, është shprehur ai.
Reka ka kritikuar qasjen e deritashme të dialogut Kosovë – Serbi për normalizim të marrëdhënieve.
Sipas tij, edhe iniciativa e kancelares gjermane dhe presidentit francez ishte kundër qasjes së deritashme të këtij dialogu.
“Dueti ‘Merkron’ i dy fuqive kryesore të BE-së në një mënyrë ishte kritikë ndaj qasjes së gjertanishme shtatëvjeçare të ndërmjetësimit të dialogut të Brukselit, sidomos të rrëshqitjes së ish-ndërmjetësues së tij (nga gushti i vitit të kaluar) në pranimin implicit edhe të negocimit të ndryshimeve kufitare, që nuk ishteasmandatisajeasi Komisionit Evropian”, ka thënë Reka.