Thaçi del në shtëpinë e re në Çagllavicë, që Pasditen e së hënës, Zonja e Parë Lumnije Thaçi është parë teksa kthehej në shtëpinë e saj të re me shofer personal, derisa Policia e Kosovës kujdesej për shtëpinë e presidentit.
Larg tollovisë e vetëm 9 kilometra nga kryeqendra, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zgjedhur të jetojë me familjen e tij tre-anëtarëshe, raporton KTV.
Një shtëpi e ndërtuar në stilin amerikan, në mes të Çagllavicës do të jetë adresa e re e presidentit Thaçi.
Në tetorin e 2018-s gjithçka rreth kësaj shtëpie, nga presidenti Hashim Thaçi u konsiderua dezinformatë e shpikje e mediave.
Por, ndërtimi i shtëpisë së presidentit, kishte nisur më 2017.
Ani pse ishte zotuar për transparencë në momentin kur vendos se ku do të jetojë, zyra e tij ka refuzuar të flasë për KTV-në rreth kësaj çështjeje.
Katër muaj më vonë, presidenti Thaçi është rehatuar në shtëpinë e re, madje ka pritur edhe mysafirë.
Ai ka ngritur dolli në dhomën e ngrënies me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeparlamentarin Kadri Veseli, e ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Pos tyre, në shtëpi Thaçit i kanë shkuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, me të cilin së fundmi vazhdimisht ka pasur përplasje qëndrimesh, por edhe Fatmir Limaj, që dikur Thaçin e akuzonte se po ia montonte proceset gjyqësore.
Në kohën sa ka qenë kryeministër, Hashim Thaçi tash president, kishte zgjedhur të jetonte me qira, derisa braktisi planin për ndërtimin e një shtëpie prej 2 mijë metrash katror në Veternik. Bazuar në deklarimin e pasurisë ai ka paguar kredi për shtëpinë e kaluar, e cila u raportua se iu shit Rrahim Pacollit. Po sipas deklarimit të pasurisë në AKK, paga vjetore e Presidentit bashkë me mëditje sillet rreth 40 mije euro.
Po sipas këtij deklarimi të vitit 2017, presidenti këtë kredi është dashur ta përfundojë në dhjetor të 2018-s.
Shtëpinë ku po jeton aktualisht, presidenti Thaçi nuk e deklaroi në Agjencinë Anti- Korrupsion, kurse deklarimet e reja të pasurisë nisin të publikohen në mars të këtij viti.