Katër persona kanë humbur jetë deri tani nga gripi sezonal.
Gjithsej 54 raste janë hospitalizuar në Klinikën Infektive, nga nëntori deri në muajin shkurt, raporton KTV.
Aktualisht, në klinikë po trajtohen 13 të sëmurë, ka thënë drejtori i këtij reparti, Hamdi Ramadani.
Ndërkaq, ai ka mohuar se pacienti nga Gjilani me inicialet R.J, ka vdekur nga gripi H1N1, që ndryshe njihet si Gripi i derrit.
Drejtori i spitalit rajonal në Gjilan, Nisret Hajrullahu, ka thënë se pas rezultatit të marrë nga Instituti i Shëndetësisë, është vërtetuar se bëhet fjalë për gripin sezonal e jo atë të derrit.
Stafi mjekësor i Klinikës Infektive ka thënë se gjendja është nën kontroll, por bën thirrje për paraqitje sa më të shpejtë në rast se vërehen simptomat e gripit, që janë temperaturë e lartë, kollitje, probleme me nyje etj.