Fjalë Kyçe

Klinikat e QKUK’së me mungesë mjekësh, shumë prej tyre të infektuar

Klinikat e QKUK’së me mungesë mjekësh, shumë prej tyre të infektuar

Në 508 ka shkuar numri i të vdekurve në vend nga Covid-19.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë 9 persona kanë humbur jetën nga ky virus.

E derisa numri i mostrave të marra nga IKSHPK-ja po shkon duke u ulur, vazhdon të jetë i lartë numri i atyre që po rezultojnë pozitivë.

Nga 466 mostrat e marra nga IKSHPK-ja, 115 persona kanë rezultuar pozitivë.

Ndërsa Komuna e Prishtinës ka numrin më të larë të të infektuarve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit 41 persona kanë rezultuar pozitivë.

Ndërsa në klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale 462 pacientë po vazhdojnë të trajtohen, ku 368 prej tyre janë të konfirmuar me Covid-19.

329 janë me oksigjenoterapi, 28 në CPAP dhe 12 në respiratorë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, thotë se mungesa e stafit, një pjesë e tyre edhe të infektuar, e ka vështirësuar në masë të madhe punën e mjekëve gjatë pandemisë, raporton KTV.

Ministri i Shëndetësisë, Amend Zemaj, ka vazhduar vizitat në komuna, ku gjatë ditës ka vizituar atë të Vitisë.

Zemaj premtoi një autoambulancë për QKMF-në e kësaj komune, ndërsa lavdëroi kreun e kësaj komune, Sokol Haliti, për menaxhimin e mirë të pandemisë.

Haliti ka thënë Vitia ka nevojë të madhe për investime kapitale në fushën e shëndetësisë, pasi që ato kanë munguar gjithnjë.

Në Kosovë deri më tani mbi 13 mijë persona kanë rezultuar pozitivë në testet e IKSHPK-së, ndërsa mbi 3 mijë raste mbesin aktive.

Ndërsa mbi 9 mijë persona deri më tani janë shëruar nga Sars Cov 2.