Fjalë Kyçe

KMDLNJ kërkon që një të burgosuri t’i mundësohet trajtimi shëndetësor jashtë vendit

KMDLNJ kërkon që një të burgosuri t’i mundësohet trajtimi shëndetësor jashtë vendit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka njoftuar se monitorues të tyre e kanë vizituar të paraburgosurin, T.M., 37 vjeç, me banim në Prishtinë e që po trajtohet në QKUK për faktin se në Burgun e Dubravës nuk ka mundësi të trajtohet sa dhe si duhet.

“Familja e T.M. i është drejtuar KMDLNj –së me një deklaratë të cilës i ka bashkangjitur një dosje mjekësore me të cilën vërteton se gjendja shëndetësore e anëtarit të familjes, tash të paraburgosur është e rëndë, me tendencë të përkeqësimit nëse nuk i ofrohet ndihma e duhur mjekësore dhe se këto shërbime, përkatësisht analiza / biopsi nuk bëhen në QKUK-ë apo në ndonjë spital privat në Kosovë përveç në Shkup, ku është trajtuar për një kohë të gjatë”, thuhet në kumtesë, transmeton KlanKosova.tv.

“I paraburgosuri T.M. është vetëm me një veshkë dhe ate e ka të transplantuar andaj e ka një gjendje delikate shëndetësore e cila kërkon trajtim profesional e që, në vendin tonë dhe në rrethanat aktuale nuk mund t’i ofrohet”.

“Gjatë intervistimit, i paraburgosuri T.M. i deklaroi KMDLNj –së se nuk ka vërejtje në sjelljen e personelit shëndetësor në QKUK –ë, të cilët, në kuadër të mundësive dhe kushteve e bëjnë angazhimin maksimal por se analizën e duhur nuk kanë mundësi ta bëjnë e që mund të ndikojë në përkeqësimine gjendjes shëndetësore, me rrezik që ta humbë edhe veshkën e transplantuar dhe të përfundojë në dializë”.

Ky i burgosur është infektuar për herë të dytë me COVID-19 dhe trajtohet me 13 barëra të ndryshme.

“Për analizën/biopsinë, i paraburgosuri T.M. duhet të shkojë në një spital privat në Shkup e që, për shkak se është i privuar nga liria dhe nën hetime e ka të pamundur ta bëjë këtë, pa lejen e gjykatës”.

“KMDLNj kërkon nga SHKK dhe Gjykata kompetente që me seriozitetin më të madh të trajtojnë rastin e të paraburgosurit T.M. duke ia mundësuar kushtet për trajtim përkatës dhe të domosdoshëm, si njëra ndër të drejtat elementare të njeriut të personave të privuar nga liria dhe si detyrim i Gjykatës përkatëse dhe SHKK-së, për respektim, mbrojtje dhe zbatim të këtyre të drejtave”.