Fjalë Kyçe

Kokëdhima: Edi Rama është pjesë e planit operativ për copëtimin e Kosovës

Kokëdhima: Edi Rama është pjesë e planit operativ për copëtimin e Kosovës

Drejtuesi  i partisë “Zgjidhja” në Shqipëri, Koço Kokëdhima, u shpreh se është larguar nga Partia Socialiste pasi nuk i kanë pëlqyer veprimet e saj, të cilat i cilësoi si veprime “antikombëtare”.

Ai mes tjerash u ndal edhe tek debati i nxehtë mes Serbisë dhe Kosovës dhe retorikën për ndarjen apo shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë asnjë arsye të japin tokë, por duhet të mbrojnë sovranitetin territorial sipas parashikimeve kushtetuese.

Gjithashtu Kokëdhima theksoi në emisionin “A Show” në News 24  se në këtë lojë të pistë është përfshirë edhe shefi i qeverisë Edi Rama, i cili sipas tij, mbron interesat e Aleksander Vuçiçit.

Pjesë nga intervista:

Kokëdhima: Unë kam bërë këshillime në PS për çështjet politike dhe për çështjet e zhvillimit të vendit. Gjithmonë kam thënë atë që  kam menduar. Koha i ka vërtetuar këshillat e mia.

Si mendon ta zgjidhësh fatin tënd politik?

Kokëdhima: Unë kam zgjidhur fatin politik në formën më të mirë. Mblidhi deklaratat e mia, mblidhi të gjithë deklaratat e mia politike që kam bërë në këto dy vite, do të shikosh që jam i vërtetë. Më gjeni një qëndrim të gabuar që kemi mbajtur unë dhe shtypi im. Qëndrimet e mia kanë qenë atdhetare. Unë artikuloj interesat e popullit tim. Në politikë po nuk përfaqësove këtë, fundi do të jetë shumë i keq. Unë kam vendosur t’i japë vendit alternativë.  Ika nga PS-ja sepse më hoqën. Isha i papajtueshëm me atë që bënin për vendin.

Unë jam deklaruar me shqetësim për çdo shkëmbim territoresh me Serbinë, shqiptarët boll janë copëtuar. Ne i kemi lënë territoret jashtë trungut. Nuk ka gjë më antishqiptare. Na duhet një marrëveshje që respekton integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës.

Ndarja e Kosovës nuk do të funksionojë, kjo më qetëson shpirtin. Këto janë planet e Vuçiçit, përfshirë edhe këtë kryeministrin tonë, i cili vajti dhe iu bashkua këtij plani të copëtimi të Kosovës.