Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë zyrtare të Shoqatës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka marrë pjesë në njërin prej aktiviteteve më të mëdha ushtarake,që organizohen nga kjo shoqatë.
Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë mbi 90 shtete të botes, përfshirë edhe Kosovën, ku përveç konferencave të ndryshme që ndërlidhen me aspektet e sigurisë u mbajt edhe panairi i industrisë ushtarake amerikane, i cili konsiderohet si njëri ndër panairet më të mëdha në botë.
Gjeneral Rama në këtë panair vizitoi edhe disa kompani amerikane me pajisje dhe sisteme ushtarake.
Gjithashtu, në kuadër të këtij aktiviteti, komandanti i FSK-së, gjeneral Rama mori pjesë edhe në koktejin e organizuar nga shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, gjenerali James McConville.
Me këtë rast, gjeneral Rama e ka falënderuar gjeneralin McConville si dhe ushtrinë amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së.
Komandanti i FSK-së po ashtu ka mbajtur takime të rëndësishme edhe me përfaqësues të Departamentit të Mbrojtjes, para të cilëve pasqyroi të arriturat e FSK-së, si dhe shprehu dëshirën e tij për rritjen e bashkëpunimit dhe të mbështetjes nga Departamenti i Mbrojtjes.
Në këto takime gjenerallejtënant Rrahman Rama i ka siguruar përfaqësuesit amerikanë të Mbrojtjes se plani i tranzicionit është duke u zhvilluar sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit me transparencë të plotë.
Ky aktivitet i Shoqatës së Ushtrisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka për qëllim mbështetjen e ushtrisë amerikane, duke i bashkuar të gjithë përfaqësuesit e lartë të ushtrive të botes për të debatuar rreth çështjeve të ndryshme të kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë në botë.