Fjalë Kyçe

KOMF bën thirrje për vaksinim: Vaksinohu, mbroj fëmijët

KOMF bën thirrje për vaksinim: Vaksinohu, mbroj fëmijët

Koalicioni i Organizatave Jo-qeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve ka bërë thirrje për vaksinim, duke thënë se vetëm në këtë formë mund t’i mbrojmë fëmijët.

Ata përmes një komunikate thanë se një gjë e tillë duhet bërë pasi që jemi dëshmitarë që rastet pozitive me COVID-19 po rriten në mënyrë të shpejtë javëve të fundit dhe tashmë po përballemi me një valë të re të infeksionit.

“Këto shifra alarmante duhet të jenë shkas që prindërit, qytetarët dhe institucionet të kthejnë vëmendjen e tyre dhe të mobilizohen në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, me theks mbrojtjen e fëmijëve nga COVID-19. KOMF bën thirrje për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë prindërit, stafi arsimor dhe stafi shëndetësor të vaksinohen për të mbrojtur fëmijët, veten dhe shëndetin publik.”, thuhet në komunikatë.

“Në anën tjetër, Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare është duke u ballafaquar me një numër të madh të fëmijëve që po kërkojnë trajtim për shkak të viruseve të tjerë dhe por edhe Covid-19. Gjatë javës së kaluar janë hospitalizuar pesë fëmijë të infektuar me Covid-19, ndërsa 11 të tjerë kanë kërkuar vetëm shërbim ambulator”

Prandaj, përveç masave tashmë të njohura KOMF kërkon nga të gjithë prindërit, qytetarët që të vaksinohen për të mbrojtur veten dhe çka është më e rëndësishmja, fëmijët por edhe shëndetin publik në përgjithësi, përcjell Klankosova.tv.

“Vala e re e infektimeve mund të thellohet edhe më shumë me fillimin e vitit të ri shkollor në muajin Shtator 2021. Një nga parakushtet për fillimin e vitit të ri shkollor duhet të jetë vaksinimi i personelit mësimor dhe stafit përcjellës”, thuhet në këtë komunikatë.

KOMF kërkon nga mësimdhënësit që të vaksinohen për shkak të ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm, me theks të veçantë shëndetit të fëmijëve si dhe MASHT-i dhe DKA-të t’i inkurajojnë mësimdhënësit të vaksinohen.

Kërkesa e tyre e radhës është për Ministrinë e Shëndetësisë që krahas vaksinimit të rregullt në qendrat e vaksinimit, të ofrohen mundësi për shërbime mobile të vaksinimit të mësimdhënësve në shkolla apo në zona më të thella.

“Ekziston një shqetësim i vazhdueshëm në publik për sigurinë e vaksinimit kundër COVID-19 gjatë shtatzënisë dhe për nënat gjidhënëse. Lidhur me këtë, të dhënat e fundit (Gusht 2021) nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes (CDC), tregojnë se vaksina është e sigurt dhe efektive për gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse. Të dhënat demonstrojnë se përfitimet e marrjes së një vaksine kundër COVID-19 për gratë shtatzëna janë shumë më të mëdha se sa çdo rrezik i njohur ose i mundshëm”, thuhet tutje në komunikatën e KOMF.

Tutje, ata njoftuan se sipas një hulumtimi seroepidemiologjik të realizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, vetëm 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, duke konstatuar se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv. Andaj, sipas tyre masa më efikase dhe më e lirë është vaksinimi masovik i qytetarëve të Republikës së Kosovës.