Fjalë Kyçe

KOMF kërkon hetime e veprime të menjëhershme për rastin e vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova

KOMF kërkon hetime e veprime të menjëhershme për rastin e vdekjes së 4-vjeçares nga Gjakova

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka bërë thirrje për hetime e veprime të menjëhershme për rastin e vdekjes së një vajze katërvjeçare nga Gjakova.

Vajza 4-vjeçare, siç ka bërë të ditur Policia në raportin 24-orësh, po trajtohej në QKUK që nga 17 shkurti. Më 19 shkurt ajo vdiq, ndërsa trupi i saj është dërguar për obduksion në IML.

“Kjo ngjarje e paprecedent ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor. Sipas raportimeve dhe dyshimeve të ngritura nga prindërit e vajzës, të cilat janë transmetuar në media, e ndjera dyshohet se ka pësuar një sulm nga dy fëmijë të tjerë, duke u goditur me forcë në pjesën e shpinës dhe gjoksit, gjë që ka çuar edhe në rrëzimin e saj në rrugë. Megjithë gjendjen e rënduar të fëmijës, prindërit janë shprehur se përgjigja mjekësore ndaj gjendjes së saj ka qenë e pamjaftueshme. Ata pretendojnë se gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar disa herë ndihmë mjekësore për vajzën e tyre, por kanë marrë vetëm disa këshilla sipërfaqësore nga ekipi mjekësor, duke nënvlerësuar tragjikisht ashpërsinë e gjendjes së saj. Sipas prindërve, vajza nuk ka marrë një ekzaminim të plotë mjekësor dhe trajtimi i duhur i saj është neglizhuar duke shkaktuar fatalitet, gjë që ngre shqetësim dhe pikëpyetje të thella në lidhje me etikën profesionale të personelit mjekësor”, është thënë nga KOMF.

KOMF ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të trajtojnë me prioritet absolut rastin dhe të marrin veprime të menjëhershme.

“Kërkojmë vëmendjen e menjëhershme institucionale ndaj neglizhencës së supozuar mjekësore dhe pasojave të saj fatale. Kërkojmë nga autoritetet përkatëse që të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për praktikat mjekësore të ndjekura në këtë rast, duke siguruar llogaridhënie të plotë nga institucionet lokale. Kërkojmë zbatimin e plotë të legjislacionit në fuqi dhe ndërmarrjen e të gjitha masave sipas rezultateve të hetimit, për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen. KOMF do të vazhdojë të ndjekë nga afër procedimin më tej të këtij rasti nga ana e institucioneve dhe do të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie prej tyre, duke çuar ku duhet përgjegjësinë kolektive për të garantuar se fëmijët tanë zhvillohen në mjedis të sigurt dhe përkujdesës, ku të drejtat e tyre themelore mbrohen dhe janë themel i zhvillimit të shoqërisë”, thuhet nga KOMF.

Për rastin ka reaguar edhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK.

“Ftojmë Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Shëndetësor dhe Odat e Profesionistëve Shëndetësor që ta hetojnë këtë rast, ta gjykojnë dhe ta dënojnë në përputhje me shkeljet e evidentuara. Ky rast tregon mirë brishtësinë e sistemit shëndetësor, mungesën e profesionalizmit dhe neglizhencën e një pjese të stafit shëndetësor në menaxhimin e rasteve. Rastet si ky flasin për një pasiguri të sistemit të cilat shkojnë në dëm të pacientëve. Të vdes fëmija brenda ditës dhe të kemi deklarata kontraverse rreth shkakut, kjo është e papranueshme. Falënderojmë mediat për sensibilizimin e këtij rasti, por, këtu ngrihen pikëpyetje, sa raste të tjera si ky mund të vdesin në heshtje dhe shkaktarët e vdekjeve t’i mbuloj dheu!?” – është thënë nga Shoqata.