Fjalë Kyçe

Kompania që nuk i kishte përmbushur kriteret për ndërtimin e hidrocentraleve në Pejë

Kompania që nuk i kishte përmbushur kriteret për ndërtimin e hidrocentraleve në Pejë

Kompanisë “Kelkos Energy Peja” që planifikon të ndërtojë pesë hidrocentrale në Lumbardh të Pejës, i ka skaduar autorizimi për kyçje në sistemin e shpërndarjes së energjisë në vitin 2016.

Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, kjo kompani nuk ka aplikuar më që nga viti 2013, dhe nuk i kishte përmbushur kushtet që kërkohen me Rregulloren e Autorizimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja.

“Bordi i ZRRE, më 2014 i kishte lëshuar autorizim preliminar kompanisë, por kjo nuk nënkupton lëshimin e autorizimit final”, ka thënë për KTV-në Adelina Murtezaj, zëdhënëse e këtij institucioni.

E, ish-kryetari i Pejës, Ali Berisha, që nënshkroi këtë marrëveshje me kompaninë, thotë se kur ajo u nënshkrua, kishte kushte të tjera.

Megjithatë, memorandumi ishte nënshkruar për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve dhe ndër të tjera, në të theksohet se “Kelkos Energy” është e përgatitur të hyjë në marrëveshje me palët e interesuara me rekomandimin e kryetarit të Pejës deri në një pjesë investimi prej 20 për qind.

Pos tjerash, ndërmjet palëve ishte nënshkruar edhe një kontratë për shfrytëzimin e pronës së Komunës, e cila nënkupton edhe gërryerjen e tokës.

Televizioni ka pyetur edhe kompaninë “Kelkos Energy”, por shkurt përmes telefonit zyrtarët e saj kanë thënë se gjatë procesit të vlerësimit, nuk japin asnjë koment.

Kundër ndërtimit të hidrocentraleve janë banorët e Pejës dhe udhëheqësit aktualë të saj.

Të hënën, pas protestës, kryeministri Ramush Haradinaj tha se ka ndalur procedurat e ndërtimit të hidrocentralit deri në një raport të detajuar për ndikimin e tij në ambient.

Por, ministri i Qeverisë së tij, Endrit Shala, dhe anëtarë tjerë të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike, javën e shkuar i dhanë statusin e investitorit strategjik kompanisë “Kelkos Energy Peja”.