Fjalë Kyçe

Komuna e Ferizajt dyshohet për falsifikim të dokumenteve në tenderin e 150 mijë eurove

Komuna e Ferizajt dyshohet për falsifikim të dokumenteve në tenderin e 150 mijë eurove

Mjetet dhe pajisjet në vlerë prej 150 mijë eurove të shpërndara për bizneset Ferizajase në kuadër të Fondit të Punësimit rezultojnë të jenë kineze në vend të atyre gjermane.

Agjencia e lajmeve ‘Fakte Plus’ gjatë ditës së sotme ka publikuar një artikull hulumtues për tenderin prej 150 mijë euro që komuna e Ferizajt e ka lidhur me kompaninë ‘Altini SH.P.K’ për furnizim me pajisje dhe mjete të punës me qëllim të shpërndarjes së tyre për bizneset Ferizajase në kuadër të Fondit të Punësimit.

Kompania fituese e tenderit ‘Altini SH.P.K’ kishte vendosur që veglat e distributorit të kompanisë ‘Këneta’ i plotësonin kushtet, dhe vetëm pas shpërndarjes përfituesit e kishin vërejtur se veglat nuk ishin gjermane siç ishte deklaruar, por ato ishin kineze.

Për këto mashtrime përfituesit ishin ankuar direkt te kompania ‘Këneta’ e cila pretendon se i është keqpërdorur emri  kompanisë dhe se ata nuk kanë të bëjnë me mashtrimet e kompanisë fituese të tenderit.

Drejtori i kompanisë ‘Këneta’ Hyzri Aliu për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ishte deklaruar se të gjithë keqpërdorimin e ka bërë komuna së bashku me fituesin e tenderit, sipas Aliut, tenderin e ka fituar një kompani që nuk ka lidhje me vegla pune dhe e cila sipas tij ka shpërndarë vegla false.

“Ka sjellë dikush vegla të Kinës, makinë false kanë sjellë. Ne s’kemi marrë pjesë në ato gjëra por komuna i ka bërë disa keqpërdorime së bashku me fituesin e tenderit për shpërndarjen e donacioneve. Ne e kemi përfaqësinë e makinës. E kanë keqpërdorë pak vulën tonë. Tek ne i kanë marrë ofertat me mall origjinal edhe kjo ka dalë në tender. Tenderin e ka marrë dikush që s’merret me vegla hiq, e ka fitu tenderin prej Komunës dhe ka shpërnda vegla false” kishte deklaruar Aliu.

E problemi kishte dalur në sipërfaqe kur pëtfituesi i pajisjeve në vlerë prej 3 mijë e 720 euro, Bajrush Musa ishte deklaruar se nuk i pranon mjetet e Kinës.

Sipas Fakte Plus komuna kishte deklaruar se nuk është e involvuar në rast, duke e fajësuar kompaninë ‘Këneta’ si kompani e cila përballet me falsifikme të ndryshme në treg.

Për shkak të këtyre keqpërdorime kompania ‘Këneta’ ka dorëzuar një denoncim në Njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

E për Fakte Plus rastin e ka konfirmuaredhe Policia e Kosovës e cila ka deklaruar së një Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit është bërë një denoncim, ku janë paraqitur dyshime për keqpërdorim të markës dhe të drejtave industriale të një subjekti tregtar.

“Më datë 04.11.2019 NJRHKEK Ferizaj ka pranuar informacion me dyshime për keqpërdorim të markës dhe të drejtave industriale të subjektit tregtar nga një kompani në Ferizaj. Çështja ka të bëjë me një donacion nga Komuna e Ferizajt në lidhje me furnizimin e qytetarëve me vegla pune. Lënda është duke u trajtuar nga NJRHKEK Ferizaj”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës

Rastin në fjalë janë duke e monitoruar edhe nga rrjeti i OJQ-ve, AVONET shkrun Fakte Plus.