Fjalë Kyçe

Komuna e Podujevës kërkon shtimin e numrit të zjarrfikësve

Komuna e Podujevës kërkon shtimin e numrit të zjarrfikësve

Zyrtarët komunalë të Podujevës kanë kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) që të mundësojë shtimin e numrit të zjarrfikësve dhe po ashtu përmirësimin e kushteve të punës në këtë Komunë. Kjo kërkesë ka dalë në mbledhjen e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) që është mbajtur të hënën. Aty është folur edhe për rastet e zjarreve që kanë ndodhur në vitin 2020 dhe përgjatë këtyre muajve të vitit 2021.

“Për situatën e pyjeve dhe rrezikun nga zjarrëvënia dhe sensibilizimin e qytetarëve sa i përket kësaj dukurie foli drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vigan Salihu i cili tha se gjatë vitit 2020 janë evidentuar 44 raste zjarri, ndërsa në vitin 2021 deri më tani kemi vetëm 9 raste”, thuhet në një njoftim të Komunës së Podujevës.

Sipas njoftimit, Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Podujevë po përballet me mungesë të punëtorëve dhe mjeteve të punës.

“Për gjendjen në këtë sektor dhe problemet me të cilat përballet si në aspektin e numrit të vogël të punëtorëve, ashtu edhe në mjetet e punës, me propozim të drejtorit për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtimit, Fevzi Jetullahu dhe dakordimin e të gjithë anëtarëve të KKSB-së në Podujevë u vendos që t’i drejtohet një apel Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave për t’i trajtuar problemet me të cilat përballet Brigada e Zjarrëfiksëve në Podujevë”.