Fjalë Kyçe

Komuna e Prishtinës fillon me shpërndarjen e kartelave për parking për banorët rezidentë

Komuna e Prishtinës fillon me shpërndarjen e kartelave për parking për banorët rezidentë

“Prishtina Parking” ka filluar marrëveshjet me banorët në qendër të Prishtinës dhe pajisjen me kartat rezidente për sistemin e parkingut, kartë kjo e cila e identifikon banorin rezident për t’i siguruar vend për parking.

Kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, ka thënë se janë mbi 150 banorë që kanë aplikuar për pajisje me kartë deri tash.

“Do të fillojmë prej Zonës 1, i kemi kontrollorët tanë që janë në terren. Sistemi tani është funksional dhe nga e hëna do fillojë pajisja me karta rezidente. Që tash kemi mbi 150 rezidentë që kanë bë aplikim nga Zona 1”, ka thënë ai në emisionin 038 të KTV-së.

Restelica ka thënë se prioritet është regjistrimi i banorëve rezidentë për t’i pajisur me këto karta, porse në listë mund të futen më pas edhe të tjerët.

“Prioritet është banorët rezidentë, pasi t’i regjistrojmë të gjithë rezidentët pastaj do bëjmë politikat tjera për kategoritë tjera që janë me rregullore. Por, problemi kyç në qytet janë banorët rezidentë. Ka shumë raste ku qytetari nëse shkon para banesave mund të presë deri në 2 orë para banesës dhe nuk gjen parking”.

Ai ka thënë se në Zonën 1 ka mjaftueshëm hapësirë parkingu për banorët, ndërsa ka shtuar se te pjesa e hapësirës e cila është më e komplikuar, “do t’u jepet mundësia qytetarëve për vetëmenaxhim”.

Restelica ka thënë se shpejt do të fillohet edhe me Zonën 2.

“Shpejt do fillojmë edhe me Zonën 2 që përfshinë Dardaninë, Ulpianën, Lakrishtën, Bregun e Diellit dhe pjesën e Tophanes. Zona 2 ka numër më të madh të banorëve. Me Zonën 2 do fillojmë menjëherë me pilot projekt në Dardani tek ‘Santea’. Aty rezidentët janë të gjithë të regjistruar te ne dhe është 7 euro në muaj pagesa apo 70 euro në vit”, ka shtuar Restelica.