Fjalë Kyçe

Komuna e Prishtinës subvencionon kompaninë ‘e vdekur’

Komuna e Prishtinës subvencionon kompaninë ‘e vdekur’

130 mijë euro i ka ndarë në fund të vitit të kaluar Komuna e Prishtinës, si ndihmesë për ndërmarrjen “Sport Marketing”.

Vera e nxehtë e me pak shi ka bërë që ndërmarrja të ketë fitim nga pushuesit në pishinë, raporton “038” në KTV.

Por, nga shtatori ndërmarrja nuk ka gjeneruar asnjë të hyrë tjetër. Tash e dy vjet ajo është në proces gjyqësor me Komunën e Shtërpcës për pronësinë e “Shtëpisë së Gurit” në Brezovicë, në të cilën dikur ushtronin skijimin nxënësit e Prishtinës.

Në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa ndonëse nuk ishte në rend dite, ekzekutivi erdhi me kërkesë për ndarje të 30 mijë eurove për ndërmarrjen.

Kjo u kundërshtua nga opozita. Këshilltari Komunal nga VV-ja, Eman Rrahmani, madje kërkoi raport dhe më shumë të dhëna për shpenzimet e të gjitha ndërmarrjeve komunale.

Derisa muaj më parë, Komuna e Prishtinës nuk i dha në menaxhim ndërmarrjes mirëmbajtjen e këndeve të lodrave, ka pasur reagim edhe nga kryeshefja e ndërmarrjes, Mirlinda Sopi Krasniqi.

Që aktiviteti i ndërmarrjes të mos mbetet vetëm me pishinë, ishte kërkesë tjetër në KPF. Por, kërkesën e përkrahën pjesëtarët e pozitës. Megjithatë, pika u miratua dhe si e tillë do të diskutohet javën që vjen në Kuvendin Komunal.

Ndërkohë, kryeshefja e ndërmarrjes, Mirlinda Sopi Krasniqi, pritet të japë dorëheqje pas 26 nëntorit për shkak të zgjedhjes së saj deputete në Kuvendin e Kosovës.