Fjalë Kyçe

Komuna e Suharekës nuk bindet, lejon shitjen e mjeteve piroteknike

Komuna e Suharekës nuk bindet, lejon shitjen e mjeteve piroteknike

Festimet në prag të Vitit të Ri në Kosovë, janë karakterizuar me ndezje të fishekzjarrëve si dhe mjeteve të tjera piroteknike, që kanë ngjyrosur qytetet e vendit në mesnatë.

Por, një gjë e tillë këtë vit, nuk do të jetë e mundshme, pas kërkesës që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ua ka bërë komunave për ndalimin e ndezjes së fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike.

Në këtë kërkesë, MMPH-ja u ka bërë thirrje komunave të vendit që të ndalojnë shitjen dhe përdorimin e këtyre produkteve, si shkak të pasojave që këto mjete shkaktojnë në mjedis dhe në shëndetin e qytetarëve.

Thirrjes së Ministrisë i janë përgjigjur pozitivisht disa prej komunave.

Komuna e Prishtinës ka ndaluar shitjen dhe përdorimin e këtyre produkteve në sheshe, tregje e rrugë, nga 20 dhjetori deri më datën 3 janar.

Një vendim të ngjashëm e ka marrë edhe komuna e Prizrenit dhe ajo e Rahovecit, me përjashtim lejimin e tyre në datën e 31 dhjetorit.

Mirëpo, këtë kërkesë nuk pritet ta zbatojë edhe komuna e Suharekës, ku sipas kryetarit të kësaj komune, shitja e produkteve piroteknike, mund të lejohet për të gjithë shitësit.

Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës thotë se përderisa këto produkte futen në Kosovë përmes doganës, duhet të lejohet edhe shitja e tyre, raporton KTV.

E nga dogana e Kosovës, thonë se këtë vit, numri i produkteve që kanë hyrë është më i vogël në krahasim me vitet e tjera.

Përmes një përgjigjeje me shkrim dërguar KTV-së, Policia e Kosovës ka kërkuar nga prindërit që të jenë më të kujdesshëm dhe të parandalojnë shfrytëzimin e mjeteve piroteknike nga fëmijët e tyre, për shkak të rrezikut që ato shkaktojnë.

‘’Policia e Kosovës me theks të veçantë, apelon te çdo prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët, ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë, janë evidentuar incidente me pasoja të rënda”.

Policia zotohet se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore kudo që vërehet se janë përdorur armë apo mjete të tjera të kundërligjshme.