Nisi si një projekt i veçantë i Prishtinës, i cili do të ndikonte në shkarkimin e qytetit nga komunikacioni, pavarësisht që gjatë testimit vetëm se e ngulfaste komunikacionin.
Kthimin e unazës qendrore në një rrugë njëkahore kryetari Përparim Rama dhe ekipi i tij e morën me shumë vrull në vitin e parë të qeverisjes.
Kundër dolën shumë qytetarë.
E kryetari i Prishtinës pas kësaj periudhe pati deklaruar se testi i radhës do të bëhej në anën e kundër të unazës.
Një test i tillë nuk u bë asnjëherë dhe ky projekt u la në harresë nga komuna e Prishtinës që nga tetori i vitit 2022.
Halil Halili, i cili gjatë asaj kohe ishte udhëheqës i task-forcës, tha se nga testi i tretë ata kishin arritur të bëjnë ndërhyrje në rrugë të caktuara.
Tani, sipas Halilit, kompetencat kanë kaluar te nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj. I pyetur nga KOHA, Zogaj nuk ka deklaruar nëse do të vazhdojnë tutje me këtë projekt.
Njohësi i çështjeve të komunikacionit, Nol Dedaj, ka thënë se testet patën dhënë rezultat. Dedaj ka deklaruar se komuna nuk ka bërë hulumtimet e duhura për ta vazhduar këtë.
Nga opozita thonë se kanë qenë të bindur se ky projekt do të jetë një dështim. Feim Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se ky është vetëm njëri nga shumë projektet e qeverisjes së LDK-së që nuk ka gjetur zbatim. Sipas tij, për një projekt të tillë duhet të bëhen analiza të mirëfillta.
Gjatë kohës së testeve për rrugën njëkahore, kryetari Rama ka bërë edhe mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush” duke e kthyer atë në një shesh.
Kjo bëri që të ndërrohet kahja e lëvizjes së autobusëve duke shkaktuar kolona e vonesë gjatë qarkullimit të tyre.