Fjalë Kyçe

Konfirmohet aktakuza për korrupsion me tenderin e rrobave në Polici

Konfirmohet aktakuza për korrupsion me tenderin e rrobave në Polici

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-zyrtarit policor të Policisë së Kosovës, Jeton Menxhiqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të këtij viti, e kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Menxhiqi, avokati Naim Rudari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij vendimi, mbrojtja brenda afatit ligjor kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me ç’rast kjo e fundit e ka refuzuar ankesën si të pabazuar.“Refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të pandehurit Jeton Menxhiqi, av. Naim Rudari, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti i Krimeve të Rënda, vërtetohet”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Në vendimin Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e atakuar në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme, se aktakuza e ngritur nga prokuroria ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate në aktvendimin e kundërshtuar, Gjykata e shkallës së parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor, duke u bazuar në provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës dhe nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilën është akuzuar i pandehuri dhe se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar mirë se është kryer vepra penale me të cilën ngarkohet i pandehuri”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë.

Poashtu, Apeli ka vlerësuar si të drejtë dhe të bazuar në ligj konkludimin e shkallës së parë, se për tu vërtetuar pretendimet e cekura nga mbrojtja gjykata duhet të shkoj në shqyrtimin gjyqësor dhe pas analizimit dhe shqyrtimit të provave, të vërtetohet në tërësi gjendja faktike.

Ndryshe, pas një muaji e gjysmë të transmetimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” për korrupsionin në prokurimin e Policisë së Kosovës, ku ishte përfshirë zyrtari policor Jeton Menxhiqi, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në prill të vitit 2019, kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se më 8 gusht 2017, në ndërtesën e Policisë së Kosovës, në Prishtinë, i pandehuri Jeton Menxhiqi, në cilësinë e personit zyrtar, si anëtar i komisionit në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, në numër të prokurimit 214/17/048/111, i cili përfaqësonte Drejtorinë e Hetimeve Kundër Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka shfrytëzuar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që në tenderin “Furnizim me rroba elegante”, i paraparë në vlerë prej 730,000.00 euro, komisioni gjatë punës në përbërje nga i pandehuri Menxhiqi, Sabide Beqiri dhe Naim Lahu, pas kontrollit kishin konstatuar se asnjëri nga operatorët ekonomikë, nga tetë sa kishin konkurruar, nuk i kanë plotësuar kushtet e parapara në tender.

Gjithnjë sipas aktakuzës, atëherë i pandehuri Menxhiqi me qëllim që t’i bënë të mundur operatorit ekonomik “Artius Group SHPK”, që ta fiton tenderin edhe pse nuk i kishte plotësuar kushtet, më 08 gusht 2017, në ora 12:42, derisa ishte duke qëndruar në një zyre me çelësin mbi tavolinë dhe në mënyrë të kundërligjshme, pa prezencën e anëtarëve të tjerë të komisionit, e në kohë të pauzës shkon në Zyrën Prokurimit merr paketën e “Artius Group”, ndërron mostrat e rrobave elegante dhe i vendos mostrat e tjera të cilat i kishte sjellë nga jashtë me një çantë krahu dhe pas pak e kthen paketën në Zyrën e Prokurimit.Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte vepruar në këtë mënyrë me qëllim që “Artius Group”, të fitonte tenderin në mënyrë të kundërligjshme në vlerë prej 506,216.20 euro.Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i KPRK-së.

Ndryshe, i pandehuri Menxhiqi, në deklaratën e tij në Prokurori, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij dhe është mbrojtur në heshtje. Ndërsa, sa i përket mbrojtjes së të pandehurit ku i njëjti ka dhënë deklaratë në IPK, në aktakuzë thuhet se ka qenë kontradiktor me vetveten dhe me deklaratat e dhëna nga dëshmitarët e tjerë dhe nuk ka mundur të arsyeton veprimet e tij, respektivisht kërkimi për qëndrim në zyre gjatë pauzës pa arsye, hyrja në zyrën e prokurimit i vetëm, marrja e mostrave të tenderit.

Ndërsa, prokuroria është e bindur se ekziston dyshimi i bazuar mirë dhe posedon prova të pranueshme se vepra penale është kryer nga i pandehuri, i cili mban përgjegjësi sepse ka vepruar me dashje direkte, duke konsideruar se janë manifestuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndryshe, Jeton Menxhiqi njihet si polici, i cili së bashku me zyrtarin tjetër policor, Avni Namani, nën udhëheqjen e prokurorit Kujtim Munishi, kishin hetuar dosjen e manipuluar të provimit ë jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, rast ky që ishte mbyllur për 21 ditë të hetimit preliminar./BetimipërDrejtësi