Ministri britanik i shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë të martën se disa fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar kanë vdekur nga një sindrom i rrallë inflamator, për të cilin shkencëtarët besojnë se është i lidhur me Covid-19.
Ekspertë mjekësorë nga Italia dhe Britania janë duke e hulumtuar lidhjen e mundshme mes pandemisë së koronavirusit dhe simptomat e një sindromi të ashpër inflamator te fëmijët, të cilët po dërgohen në spital me temperaturë të lartë dhe arterie të ënjtura.
Mjekët në Italinë Veriore, një prej zonave më të prekura nga koronavirusi, kanë raportuar numër jashtëzakonisht të madh të fëmijëve nën moshën 9-vjeçare të cilët po vuajnë nga ajo që duket si sëmundja Kaëasaki, që është më e zakonshme në disa pjesë të Azisë.
“Janë disa fëmijë që kanë vdekur e të cilët nuk kishin probleme të tjera shëndetësore. Është një sëmundje e re që ne mendojmë se mund të shkaktohet nga Covid-19. Nuk jemi 100 për qind të sigurt, sepse disa që e kishin këtë sëmundje nuk kishin dalë pozitivë në testin për koronavirus, prandaj po bëjmë shumë hulumtime tani, por është diçka që na brengos”, tha ministri Hancock për Radio LBC-në.
Ai nuk dha ndonjë shifër të saktë të fëmijëve që kanë vdekur nga sindromi misterioz, por shtoi: “Është e rrallë, numri i rasteve është i vogël”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Sëmundja Kaëasaki, shkaktari i së cilës është i panjohur, karakterizohet me temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, ënjtje të gjëndrave dhe në rastet më të rënda edhe me inflamacion të arterieve të zemrës.