Fjalë Kyçe

Kongresisti amerikan Turner vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë gjatë 11 viteve të shtetndërtimit

Kongresisti amerikan Turner vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë gjatë 11 viteve të shtetndërtimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Munich, në kuadër të Konferencës së Sigurisë, është takuar sot me kongresistin republikan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner.

Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, duke theksuar se përkrahja e SHBA-ve për Kosovën është jetike dhe e domosdoshme për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Me theks të veçantë, kryeministri Haradinaj kërkoi angazhimin e SHBA-ve në procesin e dialogut me Serbinë, duke thënë se është e domosdoshme arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar kongresistin Turner për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillim ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, përmbushjen e reformës së agjendës evropiane, procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri dhe përkushtimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me SHBA-të, si përkrahësi më i madh i shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.

Kongresisti republikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Turner, e ka uruar kryeministrin Haradinaj për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë gjatë 11 viteve të shtetndërtimit, duke konfirmuar mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve për proceset zhvillimore në Kosovë.