Në vazhdimësi të takimit të dy liderëve të LDK’së dhe LVV’së, sot në Selinë e LDK’së është mbajtur takimi i grupeve punuese lidhur me marrëveshjen e koalicionit qeverisës.
Pas këtij takimi ka folur Glauk Konjufca ku ka thënë se nuk kanë kushte për LDK’në e as ata nuk kanë kushte për VV’në.
Konjufca ka thënë se grupet punuese LDK –VV kanë zhvilluar një takim ‘shumë miqësor’ dhe ‘pa kushte’. Ai ka thënë se kanë diskutuar për reformat që duhet të zhvillojë qeveria e re.
“Krejt çka mund të ju them është se tashmë e keni një komunikatë të lëshuar nga subjjeketet politike se cilat cështje u diskutuan në takimin e parë mes grupeve punuese mes LDK dhe VV për konceptimin e qeverisjes së ardhshme. Nuk mund të flas në hollësi sepse ne mendojmë që gjëja më e mirë që do të mund t’i kontribonte kësaj atmosphere shumë të mirë të bashkëpunimit me të cilën filluan takimet tona, do të ishte një lloj mirëbesimi që e kemi ne në trajtimin e temave kështu që krejt çka do të mund të thoja është se kemi nevojë për reformat ë thella në arsim, shëndetësi, administratë”, ka thënë Konjufca pas takimit, shkruan Periskopi.
Ai ka thënë se VV nuk ka kushte për LDK’në e as kjo e fundit nuk ka kushte për VV. Thotë se ‘takimi mes grupeve punuese nuk ishte takim i kushteve’.
“Nuk është folë as për ministri, as për ndarje të resoreve të ndryshme, kurrfarë kushte nuk ka pasë, takimi ka qenë shumë miqësore dhe me një bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe mendoj që kjo është rruga e duhur për bashkëqeverisje të ardhshme. Nuk kemi kushte për LDK’në as ata nuk kanë kushte për ne. Nuk ka qenë takim i kushteve, janë folë temat e rëndësishme që presin Qeverinë e ardhshme edhe reformat që kemi nevojë t’i bëjmë”, ka thënë Konjufca.