Fjalë Kyçe

Konjufca: Bashkatdhetarët iu kthyen Kosovës në trajtën më të dhimbshme – nëpër arkivole

Konjufca: Bashkatdhetarët iu kthyen Kosovës në trajtën më të dhimbshme – nëpër arkivole

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidentit në Kroaci, e të cilat sot u kthyen në Kosovë për tu varrosur.

Konjufca përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se jo vetëm familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre, por tërë Kosova është në pllakosur në zi dhe mbytur në dhimbje.

nderuara familje Binakaj, Rrustemi, Kolmekshaj, Kastrati, Bellanica, Maloku, Hoxha, Iprijaj e Sylmetaj, si dhe të afërm e miq të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës. Jo vetëm ju, por e tërë Kosova është pllakosur në zi dhe mbytur në dhimbje për bashkatdhetarët tanë të dashur, që pësuan në fatkeqësinë tragjike afër Slavonski Brodit të Kroacisë, derisa po ktheheshin në atdhe nga mërgimi për pushime çmallëse. Këtë herë, përmes udhëtimit të tyre të fundit, 10 bashkatdhetarët tanë iu kthyen Kosovës në trajtën më të dhimbshme – nëpër arkivole. Në këto momente tejet tronditëse për ju që humbët më të dashurit tuaj dhe për mbarë Kosovën, jemi bashkë dhe pranë njëri-tjetrit për të shprehur solidaritetin vëllazëror, për të ndarë dhimbjen dhe për ta përballuar më lehtë pikëllimin për jetët e humbura në këtë tragjedi të dimensioneve tej kombëtare, si dhe për t’u lutur për shërimin e të lënduarve. Ngushëllimet tona më të sinqerta familjeve, të afërmve dhe miqve për humbjen e më të dashurve të tyre. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Konjufca.