Fjalë Kyçe

Konjufca: Dita e Evropës i gjen qytetarët e Kosovës në një getoizim të pashembullt

Konjufca: Dita e Evropës i gjen qytetarët e Kosovës në një getoizim të pashembullt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosovën e ka gjetur edhe këtë vit “Dita e Evropës” jo vetëm pa statusin e vendit kandidat por edhe pa liberalizim të vizave.

Konjufca me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës ka thënë përmes një statusi në Facebook se kjo ditë i ka gjetur sërish qytetarët e Kosovës në një getoizim të pashembullt.

“Sepse Dita e Evropës e gjenë Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt. Përveçse diskriminim dhe padrejtësi e madhe, kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij. Qytetarët e Kosovës, edhepse të shpërfillur, vazhdojnë të besojnë fort në politikat integruese evropiane dhe të shpresojnë që, në një të ardhme të afërt, Evropa do t’ua hapë dyert, siç i hapi për shumë shtete e popuj”, është shprehur Konjufca.

Sipas tij, BE-ja është treguar e vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane, duke shtuar se institucionet do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim, ndershmëri e vendosmëri në këtë drejtim.

“Pa Kosovën mozaiku i familjes së bashkuar evropiane nuk mund të quhet i plotësuar, sikundër as vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë themelet e Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Konjufca.