Fjalë Kyçe

Konjufca: Jam i befasuar me lehtësinë e arritjes së pajtimit me LDK-në

Konjufca: Jam i befasuar me lehtësinë e arritjes së pajtimit me LDK-në

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është shprehur i kënaqur nga takimi i sotshëm që kanë pasur me LDK-në.

Konjufca, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ndoshta qytetarët kanë pritur një dinamikë më të madhe në formimin e koalicionit qeverisës LVV-LDK.

Ai ka thënë se është pozitive që transparenca në këtë proces ka qenë shumë e madhe edh para zgjedhjeve, pasi sipas tij LDK edhe në Këshillin e Përgjithshëm kishte vendosur për një koalicion me Vetëvendosjen.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se lidhja e koalicionit nuk është vetëm vullnet i palëve, por është një punë e gjatë për të harmonizuar programet në fusha të ndryshme, përcjell Telegrafi.

Konjufca ka thënë se vonesat në finalizimin e koalicionit mund të lidhen edhe me rezultatin e ngushtë në zgjedhje deri në kohën kur janë numëruar votat e diasporës dhe ato me kusht.

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ai ishte prezentë sot në “diskutimin më profesional që ka qenë ndonjëherë” kur u diskutuar për ekonominë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Konjufca ka thënë se sot është ndier i befasuar pasi nuk ka pritur një dakordim kaq të madh me LDK-në.

“Kam menduar se LDK do të ketë më shumë problem në ndërhyrjen e shtetit në ekonomi. Natyrisht nuk jemi pajtuar në gjithçka. Në disa çështje kemi bërë kompromis, por ky kompromis nuk ka prekur bazamentet tona”, tha ndër të tjera Glauk Konjufca.