Fjalë Kyçe

Konjufca kritikohet nga LDK, nuk e përmendi kontributin e Rugovës gjatë fjalimit në Tiranë

Konjufca kritikohet nga LDK, nuk e përmendi kontributin e Rugovës gjatë fjalimit në Tiranë

Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se kryekuvendari Glauk Konjufca nuk e ka përmendur askund në fjalimin e tij të sotëm në mbledhjen e përbashkët të parlamentit të Kosovës dhe të Shqipërisë, kontributin dhe punën e presidentit historik, Ibrahim Rugova, për pavarësinë dhe shtetndërtimin e vendit.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka akuzuar edhe liderët tjerë politikë se në fjalimet e tyre nuk përmendën Rugovën.

“Historia nuk është përplotësuese e dëshirave momentale të politikanëve të rëndomtë. Ajo nuk mund të shërbejë si ideologji e interesave ditore. Harrimi i qëllimshëm i saj është përpjekje për ta manipuluar vetëdijen kolektive të një kombi. Diçka që nuk e toleron sidomos studimi i filozofisë. Ajo s’mund të rishkruhet. As të shtrembërohet dhe deformohet. Ajo duhet të njihet siç ka qenë. Të respektohet e promovohet si vlerë”.

“Ndaj e shoh të pavend dhe ofenduese, që në fjalimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u përmend askund kontributi madhor i atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova”.

Sipas Halimit anashkalimi i presidentit historik nga fjalimet e liderëve nuk tregon asgjë tjetër, pos vogëlsi.

“Figurat e rëndësishme e kontribuese për lirinë e pavarësinë e vendit, duhet t’i tejkalojnë inatet apo ideologjitë personale e partiake, duke e pasqyruar saktë të kaluarën tonë të përbashkët”, ka shkruar Halimi.