Fjalë Kyçe

Konjufca takohet me kryetarët e grupeve parlamentare për çështjen e komisioneve

Konjufca takohet me kryetarët e grupeve parlamentare për çështjen e komisioneve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar kryetarët e grupeve parlamentare, me të cilët ka diskutuar për Rregulloren e re të Kuvendit, formimin e grupeve të miqësisë, formimin e delegacioneve të Kuvendit, si dhe finalizimin e përbërjes së komisioneve parlamentare.

Duke folur lidhur me Rregulloren e re të Kuvendit, Konjufca shtroi nevojën e trajtimit të saj me urgjencë, pasi si proces nuk është mbyllur ende edhe pse është trajtuar një kohë të gjatë.

“Kemi nevojë për rregullore të re, e cila do t’i eliminonte problemet që kanë dalë në dhjetë vitet e fundit, prandaj jemi sot këtu për të diskutuar, duke pasur parasysh urgjencën e miratimit të këtij dokumenti bazë”, tha Konjufca.

“Në këtë pikë u konstatua që nëpërmjet një akti të cilin e lëshon kryetari i Kuvendit në mbështetje të kryetarëve të grupeve parlamentare, t’i drejtohet Komisionit për Legjislacion, e që nga i njëjti kërkohet përmbyllja e punëve të mbetura përkitazi me Rregulloren e re të Kuvendit”, thuhet në njoftim.

U diskutua edhe për formimin e grupeve të miqësisë, me ç’rast u theksua se duhet rifunksionalizuar grupet e legjislaturës së kaluar, e po ashtu duhet shqyrtuar edhe mundësinë e formimit të grupeve të reja.

Konjufca njoftoi kryetarët e grupeve parlamentare me numrin e delegacioneve dhe me numrin e anëtarëve përfaqësues të cilët do ta përfaqësojnë institucionin në organizata ndërkombëtare. Ndër tjerash, diskutuan nevojën e finalizimit të përbërjes së komisioneve parlamentare, duke shtruar nevojën për plotësim-ndryshimet që duhet bërë dhe miratimin e tyre në seancën e ardhshme.