Fjalë Kyçe

Konkursi vetëm formal në Universitetin e Mitrivicës, ankesa të shumta nga kandidatët

Konkursi vetëm formal në Universitetin e Mitrivicës, ankesa të shumta nga kandidatët

Për herë të dytë, Hyrie Neziri kishte aplikuar për punë në konkursin e shpallur nga Universiteti i Mitrovicës. Në këtë konkurs ajo kishte aplikuar për 4 pozita të ndryshme në administratën e këtij universiteti, meqë thotë se beson se ishte e kualifikuar për to.

Megjithatë, Neziri shton se e ka ditur që nuk do të pranohet aty pasi që ky konkurs është hapur për të pranuar persona që kanë lidhje me zyrtarë politikë.

Ndonëse është ftuar edhe në intervista, ajo nuk ka fituar ndonjërin nga këto vende të punës, për të cilët kishte aplikuar. Ajo thotë se krejt procedurat ishin thjesht formale.

Rektorati i Universitetit të Mitrovicës mohon akuzat e kandidatëve të papranuar, edhe pse pranon se disa nga kandidatët ishin punëtorë që kanë qenë të angazhuar me kontratë mbi vepër.

Në një përgjigje me shkrim të Rektoratit të Universitetit të Mitrovicës thuhet se janë respektuar të gjitha procedurat ligjore sa i përket rekrutimit të stafit administrativ dhe kandidatët që kanë aplikuar nuk kanë pasur asnjë vërejtje sa i përket procesit.

“Ka pasur disa ankesa pas përfundimit të procesit nga disa kandidatë, që është krejt normale, dhe tashmë janë duke i shfrytëzuar mundësitë që ofrohen nga instrumentet ligjore. Ka pasur disa punëtorë që kanë qenë të angazhuar me kontratë mbi vepër, të cilët u janë nënshtruar të gjitha procedurave të rregullta në kuadër të konkursit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Në konkurs, për 17 pozita, kanë aplikuar 150 kandidatë.