Fjalë Kyçe

Koordinatori i qendrës së vaksinimit, tregon sa ka arritur numri i të vaksinuarve deri më tani

Koordinatori i qendrës së vaksinimit, tregon sa ka arritur numri i të vaksinuarve deri më tani

Më shumë se 40,000 qytetarë të Kosovës janë vaksinuar deri më tani me vaksinën anti-COVID.
Koordinatori i qendrës së vaksinimit1 Tetori”, Niman Bardhi, ka bërë të ditur se vetëm deri në mesditë të ditës së diele, në Prishtinë janë vaksinuar 146 persona të grup-moshës mbi 65 vjeç ndërkaq në tërë Kosovën, janë vaksinuar, mbi 1260 persona të kësaj grup-moshe.

“Edhe sot jemi duke vazhduar me procesin e vaksinimit për të moshuarit që tashmë kanë aplikuar në platformën E-Kosova dhe njëkohësisht të gjithë këta janë të telefonuar përmes qendrës operative. Siç po e shihni me radhë sipas minutazhës së ndarë këta vijnë dhe marrin vaksinën. Aktualisht deri në këto çaste në sallën 1 tetori janë vaksinuar 146 persona ndërsa nëse flasim në nivel vendi sot deri në këto çaste janë vaksinuar mbi 1260 persona. Ndërsa nëse i referohemi nga dita e parë e vaksinimit që kemi filluar më 29 mars dhe deri më tani, kemi kaluar shifrën e 40 mijë të vaksinuar në nivel vendi”, ka thënë Bardhi.

Ai ka bërë të ditur se edhe 460 persona janë të telefonuar nga Ministria e Shëndetësisë, e të cilët duhet të shkojnë të vaksinohen gjatë ditës së sotme në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Të premten që shkoi, në hyrje të qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” u patën krijuar tollovi të mëdha të personave mbi moshën 65 vjeç të cilët kishin shkuar aty për vaksinim kundër COVID-19.

Kjo pati shkaktuar reagime të shumta si nga partitë opozitare e po ashtu nga Organizatat e Shoqërisë Civile të cilat e fajësuan Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë për mosorganizim të duhur të procesit të vaksinimit.

Për këtë arsye, MSH-ja ka vendosur që nga e shtuna, nuk do të vaksinohet askush që nuk ka aplikuar paraprakisht në platformën e-Kosova dhe që nuk është ftuar nga MSH-ja pas aplikimit.

Qytetarët e Kosovës deri më tani janë vaksinuar me vetëm dy lloje të vaksinave: AstraZeneca dhe Pfizer.

Derisa vaksinat AstraZeneca kanë ardhur në Kosovë në kuadër të programit COVAX, vaksinat Pfizer janë donacion nga Bashkimi Evropian për Kosovën.

Deri më tani, në Kosovë kanë arritur 62,400 doza të vaksinës AstraZeneca dhe 7,500 doza të Pfizerit, duke e quar numrin total të vaksinave të ardhura në 69,900 sosh.