Koronavirusi është duke u zgjeruar në të gjithë botën dhe aktualisht nuk dihet se si mund të luftohet. Ka pasur vazhdimisht shumë deklarime të shpërndara online se çka mund të jetë efikase kundër këtij virusi që ka pushtuar botën, por disa prej tyre shkencërisht s’del të jenë aq pozitive sa thuhet.
Hudhra
Shumë postime në Facebook kanë rekomanduar ngrënien e hudhrës për të parandaluar infeksionin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se përderisa “është ushqim i shëndetshëm që mund të ketë disa veti anti-mikrobike”, nuk ka dëshmi që konsumimi i hudhrës mund të mbrojë njerëzit nga koronavirusi i ri.
Në shumë raste, s’janë të rrezikshme për organizmin, por kanë potencialin të jenë. “South China Morning Post” kishte raportuar për një grua që i ishte dashur të trajtohej në spital për shkak të inflamacionit të marrë nga konsumimi i 1.5 kilogramë hudhër.
Pemët e perimet janë të shëndetshme, por s’ka dëshmi që luftojnë virusin në fjalë.
Mineralet e mrekullueshme
YouTuberi Jordan Sather, që ka mijëra ndjekës në disa platforma, ka thënë se një “suplement i mineraleve të mrekullueshme”, i quajtur MMS, mund të largojë koronavirusin.
Ai përmban dyoksid klori. Sather dhe të tjerë promovuan substancën edhe para shpërthimit të virusit, por vitin e shkuar SHBA-ja shprehi shqetësimet për rrezikun e konsumimit të MMS-së. Po ashtu edhe autoritetet e shëndetësisë në disa vende tjera kanë alarmuar për të.
Xheli pastrues i bërë në shtëpi
Ka shumë raportime të mungesës së xhelit pastrues për duar, teksa pastrimi i duarve është një nga rrugët kyçe për të parandaluar shpërndarjen e virusit.
Sipas raportimeve, në Itali kanë qarkulluar ide për krijimin e këtyre xhelave në shtëpi. Por ato, sipas shkencëtarëve, nuk janë të përshtatshme për t’u përdorur në lëkurë.
Argjendi
Përdorimi i argjendit të përzier ishte promovuar në disa emisione në Amerikë. Kjo është përzierje e metalit në lëngje. Ishte thënë se me të koronavirusi largohet për 12 orë.
Por as për këtë s’ka dëshmi shkencore nga autoritetet se ndikon në përmirësimin e shëndetit.
Pirja e ujit çdo 15 minuta
Në një post, të shpërndarë shumë në Facebook, citohej një “doktor japonez” që rekomandonte pirjen e ujit çdo 15 minuta për të përzënë virusin. Një version në arabisht ka marrë 250 mijë shpërndarje.
Por ekspertët kanë thënë për BBC-në se s’ka asnjë dëshmi se kjo mund të ndihmojë, pavarësisht se pirja e ujit është gjithmonë këshillë e mirë për shëndetin.
Nxehtësia dhe shmangia e akullores
Ka shumë këshilla që sugjerojnë se nxehtësia vret virusin. Një postim madje ka thënë se konsumimi i ujit të ngrohtë dhe ekspozimi në diell ndikojnë në luftimin e virusit, dhe se akullorja duhet të shmanget.
Por zyrtarë të UNICEF-it kanë thënë se ekspozimi para diellit është krejtësisht i paefektshëm. “Nëse është virusi aty, s’ka mënyrë për ta mbytur”, kanë thënë ekspertët.