Fjalë Kyçe

Koronavirusi/ MSh demanton partinë e Fatmir Limajt për furnizimet në Malishevë

Koronavirusi/ MSh demanton partinë e Fatmir Limajt për furnizimet në Malishevë

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pasi zyrtarë të Nismës Socialdemorkate janë ankuar për mungesë të mjeteve në Komunën e Malishevës për shkak të coronavirusit.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka thënë se kanë pasur ndihma të pakta nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkaq edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate gjatë një vizite në Malishevë sot, Fatmir Limaj ka thënë se është i shqetësuar për mungesën e mjeteve elementare për tu mbrojtur nga ky virus në Malishevë.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka njoftuar për furnizimet që gjatë muajit mars i ka bërë për Komunën e Malishevës, përkatësisht për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë dhe njësitë e saj.

“Me datën 11 mars 2020, ende pa pasur asnjë rast të vërtetuar me Covid-19 në Malishevë, MSh e ka furnizuar QKMF-në e kësaj komune me: 90 Maska Respirator FFP2, 80 veshje për personelin shëndetësor, 1800 dorëza, 40 dezinfektues, 4 termometra infra red, me datë 15 mars 2020, QKMF e Malishevës është furnizuar me  500 maska mbrojtëse dhe 4800 dorëza sterile dhe jo sterile”, thuhet në komunikatë.

MSH tutje bën të ditur se me datë 20 mars 2020, QKMF e Malishevës është furnizuar me: 100 Respirator Maska FFP2, 40 veshje (L), 40 veshje (M), 30 veshje (L) 40 mburojë për fytyrë, 10  syze mbrojtëse, 4000 dorëza (L), 4000 dorëza (M), 50 litra alkool etilik, 4 dezinfektues 500 ml.Kurse, me datë 27 mars 2020, QKMF në Malishevë , sipas ministrisë  është furnizuar me 120 Respirator Maska FFP2, 100 maska kirurgjike, 50  rroba mbrojtëse, 10  sete sterile (kombilizone), 1 Dezinfetktues 5 litërsh, 10 qese 15×80, 10 qese 600 x780, 100  përparëse për një përdorim,  10 këmisha për pacientë, 96  letra (rollne) higjienik,  48  litra alkool etilik, 1000 dorëza (M), 1000 dorëza (L), 100 kalaqe.

“Krahas furnizimeve të dedikuara për mbrojtje nga Covid-19, QKMF e Malishevës ka marrë edhe furnizimin tjetër të rregullt me barna të Listës Esenciale. MSh është e vetdijshme që interesimi i secilës komunë është që gjatë kësaj kohe të ketë furnizime sa më të mira, por në përgjegjësinë e MSh-së është që të kujdeset për të gjitha komunat, duke siguruar personelin shëndetësor në radhë të pare”, thuhet në komunikatë.Ministria shton se mjetet e dërguara në komuna janë për mbrojtje të personelit, sidomos gjatë kontakteve të para me pacientët me Covid-19, derisa trajtimin e tyre e bën Klinika Infektive për rastet që kanë nevojë për terapi dhe tretman spitalor.

“Me procedurat e filluara për furnzime të reja, MSh ditëve në vijim do të ngris edhe më tej nivelin e furnizimeve në të gjitha institucionet e vendit, përfshirë edhe Komunën e Malishevës”, përfundon komunikata.