Fjalë Kyçe

Korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi, ministri gjerman ka këtë porosi për Edi Ramën

Korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi, ministri gjerman ka këtë porosi për Edi Ramën

Ministri gjerman i shtetit Michael Roth është treguar qartësisht kundër shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë dhe njëkohësisht i ka tërhequr vëmendjen Edi Ramës në lidhje me pozicionin “asnjëanës” që ka mbajtur në deklaratat e tij zyrtare.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Roth ka deklaruar se Shqipërisë mbi gjithë të tjerët i intereson që të mos ketë destabilitet në rajon, një frazë e nënkuptuar disa herë nga Gjermania e cila është kundër zgjidhjes së konfliktit Kosovë- Serbi me shkëmbime territoresh.

Pjesa nga intervista:

-Opinioni shqiptar aktualisht është disi i shqetësuar në lidhje me përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka qenë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Kryeministri dhe de jure ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, i shmanget përgjigjes së kësaj pyetjeje në publik, por shumëkush mendon se ai është pajtuar tashmë me këtë plan. Si e shikoni ju ndihmesën e Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Roth: Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura.

Nga Shqipëria  ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.