Fjalë Kyçe

Kosnett viziton Kushtetuesen, konfirmon përkrahjen për pavarësimin e këtij institucioni

Kosnett viziton Kushtetuesen, konfirmon përkrahjen për pavarësimin e këtij institucioni

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi ka pritur sot në takim njohës ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara, Philip Kosnett, me ç’rast ky i fundit ka konfirmuar përkrahjen e tij për pavarësimin e këtij institucioni.

Kryetarja Rama-Hajrizi fillimisht e ka njoftuar ambasadorin Kosnett për punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese si dhe me sfidat me të cilat është përballur ky institucion gjatë vitit të kaluar.

“Largimi i njëkohshëm i katër gjyqtarëve të gjeneratës së parë të emëruar në Gjykatën Kushtetuese dhe humbja e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje vitin e kaluar, ishin ndër sfidat kryesore të cilat kryetarja Rama-Hajrizi i veçoi në takim”, shkruan në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.

“Ajo ka theksuar se që nga themelimi në vitin 2009, Gjykata Kushtetuese tek tani në përbërjen e saj ka vetëm gjyqtarë vendorë, me ç’rast ka shprehur falënderimin për kontributin dhe për punën e çmuar të gjyqtarëve të larguar ndërkombëtarë”.

Kryetarja Rama-Hajrizi ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës, mundësitë e konsolidimit të mëtejmë të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, si dhe reformat e nevojshme legjislative në funksion të forcimit të sundimit ligjit.

“Ajo shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për ndihmën që Qeveria e SHBA-së i ka ofruar deri më tani Gjykatës Kushtetuese, por edhe institucioneve të tjera në vend, nëpërmjet projekteve të financuara nga Misioni i USAID-it në Kosovë”.

Ndërsa ambasadori Kosnett ka konfirmuar përkrahjen e tij për pavarësinë në punë të Gjykatës Kushtetuese dhe ka shprehur zotimin për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike, në të gjitha fushat me interes reciprok.