Fjalë Kyçe

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan memorandum bashkëpunimi për kontrollin e mallrave strategjike

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruan memorandum bashkëpunimi për kontrollin e mallrave strategjike

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi nënshkruan memorandum bashkëpunimi për kontrollin e mallrave strategjike me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit në fushën e kontrollit të tregtisë së armëve dhe pajisjeve ushtarake, armëve konvencionale, armëve të shkatërrimit në masë, si dhe eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë.

Memorandumi është nënshkruar në nivel sekretarësh duke theksuar nevojën për të bërë përparime në shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave në çështjet e transferimit ndërkombëtar të kontrollit të mallrave strategjike.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka theksuar se ky memorandum është edhe një hap tutje në thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve, duke paralajmëruar se memorandume të tilla do të bëhen edhe me vendet tjera fqinje.

Ndërsa sekretari i MTI-së, Burim Rreci, ka thënë se forcimi i kontrollit kufitar është interes i shtetit të Kosovës që po ashtu një marrëveshje të tillë është nënshkruar edhe më Shqipërinë.

“Një marrëveshje të tillë e kemi nënshkruar me Shqipërinë, do ta nënshkruajmë edhe me Kroacinë dhe Maqedoninë së shpejti”, tha ai.

Ndërsa Milan Srzentiq, sekretar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë të Malit të Zi, theksoi se ky memorandum ka rëndësi të veçantë për dy shtetet, për intensifikimin e bashkëpunimit dhe kontrollit kufitar.