Fjalë Kyçe

Kosova i ka katër garues në normë, në Olimpiadë synon të shkojë me më shumë sportistë

Kosova i ka katër garues në normë, në Olimpiadë synon të shkojë me më shumë sportistë

Garuesit kosovarë janë duke e vazhduar rrugëtimin e tyre drejt sigurimit të normës olimpike, e cila do t’ua mundësonte atyre pjesëmarrjen në Olimpiadën e Parisit.

Për momentin janë katër garues brenda normës olimpike dhe të gjithë vijnë nga sporti i xhudos, shkruan “Gazeta Express”.

Bëhet fjalë për kampionet olimpike, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, por edhe për Laura Fazliun e Loriana Kukën.

Dhe, siç njofton Komiteti Olimpik i Kosovës, dy garues janë duke e kërkuar normën dhe që janë më afër të tjerëve, Flaka Loxha dhe Akil Gjakova. Pra, fokusi dhe shpresat më të mëdha të sportit kosovar janë tek xhudoja, por nuk përjashtohet mundësia që edhe sportistë nga sportet tjera ta sigurojnë normën olimpike, krahas ftesave që do t’i marrin disa garues nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Siç dihet, Kosova i ka fituar tri medalje të arta në dy Olimpiadat e fundit, të gjitha përmes sportit të xhudos, me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën dhe Distria Krasniqin.