Rreth 6 kilometra do të jetë e gjatë ura në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh Kosovën me Maqedoninë.
Për 60 kilometrat e kësaj autostrade, Qeveria e Kosovës i kishte paguar rreth 600 milionë euro kompanisë ‘Bechtel-Enka’, kurse këtë vit ka paguar edhe 53 milionë euro shtesë.
Ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se çmimi i ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi” e cila inaugurohet sot nuk është më i lartë se në vendet e rajonit.
Ai ka thënë se ky projekt është i ndërtuar me standarde të larta, njofton Klan Kosova.
“Kosova ka urën më të gjatë dhe më të gjerë në rajon. Gjatësia është 5.7 kilometra pa ndërprerje kurse maksimumi i lartësisë është 83 metra. Ka pasë shumë fjalë, nëse e marrim kriterin e ndërtimit të strukturave me rajonin ne jemi shumë mirë me çmim. E kam krahasuar një urë në Kroaci me 2.5 kilometra e cila kushton 430 milionë ndonëse ndërtohet në det”.
“Në projektin në Kosovë kanë punuar 383 nënkontraktorë të gjithë nga Kosova dhe numri i punëtorëve ka qenë 9 mijë 384. Është dhënë mjaft buxhet, por 80% është ndalë në Kosovë. 706 milionë euro në tërësi ka kushtuar projekti”, ka thënë Lekaj.
Sa i përket nisjes së ndërtimit të autostradës Prishtinë-Pejë, Lekaj ka konfirmuar se tenderi do të shpallet këtë javë.
“Në fund të gushtit i tërë projekti do të fillojë. Është bërë shpronësimi, elobaroati, fizibiliteti, paratë ekzistojnë. Koston nuk e di tash sepse ka oferta dhe tregu është i lirë. Paraja që eksiton është 238 milionë”.