Kosova ka më shumë se 100 tonelata të materieve të rrezikshme që ruhen në vende joadekuate dhe që mund të paraqesin rrezik për qytetarët.
Ka më shumë se një muaj që Naim Bytyqi me bashkëfshatarë po e kundërshtojnë vendosjen e mbetjeve të rrezikshme në fshatin në Poqest të Komunës së Pejës.
Ai ka treguar se javë më parë në këtë lokacion u vendos një sasi e konsiderueshme e mbetjeve të rrezikshme.
“Kemi protestuar tri javë ditë rresht, sepse ne si banor jemi të shqetësuar me vendimin e ministrisë që mbetjet të sillen këtu”, ka theksuar Bytyqi, për REL, përcjell Telegrafi.
Materiale të tilla të rrezikshme ka nëpër disa qytete të Kosovës, e të cilat kanë mbetur nga vitet e 90-ta, nga fabrikat të cilat tash janë jashtë funksionit.
Për zgjidhjen e këtij problem institucionet e Kosovës planifikonin ndërtimin e një objekti në fshatin Harilaç të Fushë Kosovës, e të cilin parashihej që ta financonte Bashkimi Evropian (BE) me një shumë prej 12 milionë euro.
Por, Komuna e Fushë Kosovës e ka kundërshtuar këtë vendim me arsyen se do të ishte e dëmshme dhe e rrezikshme për banorët e atij lokaliteti.
Zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli ka thënë se vendimi për ta refuzuar ndërtimin e këtij objekti u mor në bazë të vullnetit të banorëve, bizneseve dhe Aeroportit të Prishtinës.
Ai ka theksuar se lokacioni do të duhej të ishte diku tjetër, sepse sipas tij, janë vetëm 600 metra largësi në vijë ajrore – nga vendi ku duhej të ndërtohej objekti – nga shtëpitë e banuara.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), vazhdon të kërkojë një lokacion të tjetër të përshtatshëm për ndërtimin e këtij objekti, për të mos e humbur mundësinë e përfitimit të fondit të dhuruar nga BE-ja.
Kosova ka humbur një donacion në vlerë 12 milionë euro nga Bashkimi Evropian që kishte për qëllim ndërtimin e një deponie ku do të ruheshin të gjitha mbetjet e rrezikshme.