Fjalë Kyçe

Kosova nënshkruan marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur

Kosova nënshkruan marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka nënshkruar  një marrëveshje bashkëpunimi me drejtoreshën e Përgjithshme të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur, Ketrin Bomberger, dhe njëkohësisht Kosova po sot është anëtarësuar në këtë organizatë që trajton çështjen e personave të zhdukur.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje tashmë po marrin obligime të ndërsjella që trajtojnë zbardhjen e fatit të personave ende të pagjetur.

“Jemi sot me kryesuesen e ICMP-së, pra Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Pagjetur. Kosova po ashtu nga sot i ka dhënë akreditim Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur. Tash po e nënshkruajmë edhe një marrëveshje, ku marrim obligime të ndërsjella për bashkëpunim, për zbardhjen e kësaj çështjeje që është e jona, e Kosovës por e cila është edhe multilaterale, sepse kjo përfshinë edhe palët e tjera në rajon dhe kësisoj po vazhdon një traditë e punës që është edhe pjesë e procesit të Berlinit dhe e zhvillimeve të deritashme”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Njëkohësisht kryeministri Haradinaj i falënderoi të gjitha organizatat për personat e pagjetur që janë në Kosovë, po ashtu edhe Komisionin Shtetëror të Kosovës që merren me këtë proces.

Ndërkaq, drejtoresha e Përgjithshme e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur, Ketrin Bomberger tha se arritja e kësaj marrëveshjeje shënon një moment tjetër historik.  Drejtoresha Ketrin Bomberger tha se janë të lumtur që sot e shënojnë këtë rast për të rritur edhe më shumë bashkëpunimin dhe që të ketë edhe një bashkëpunim rajonal për të adresuar këtë çështje shumë të ndjeshme.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj tha se bashkëpunimi me këtë Komision është që nga viti 1999, por që nga sot, ky lloj bashkëpunimi është fuqizuar dhe ka kaluar në një nivel tjetër të marrjes së përgjegjësive dhe obligimeve që kanë ndaj personave ende të zhdukur./Gazeta Alo/