Kastriot Shala, Ridvan Ademi e Leutrim Latfi u ikën duarve të Policisë. Të tre këta dyshohen të jenë akterët kryesorë në një numër të madh të grabitjeve që ndodhën në territorin e Kosovës, shkruan lajmi.net.
Ndonëse në kërkim, ata gjenin kohë edhe të tallen me Policinë e Kosovës përmes disa videove të postuara në Facebook.
E njërit prej tyre nuk i eci gjatë tallja me policinë. Ai u arrestua, mirëpo jo nga organet e drejtësisë kosovare.
Leutrim Latifi u raportua se u arrestua në Mal të Zi nga autoritetet e atjeshme.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, për lajmi.net tregon se arrestimi i Leutrim Latifit ka ndodhur qysh në muajin shkurt të këtij viti.
Megjithëse ai thotë se tani është në kompetencë të autoriteteve për realizimin e ekstradimit, e që është ministria e Drejtësisë.
“I apostrofuari është arrestuar më herët, pra në muajin shkurt të vitit 2019, në një shtet fqinjë dhe mbetet kompetencë e autoriteteve për realizimin e ekstradimit sipas procedurave”, ka thënë Daut Hoxha për lajmi.net.
Mirëpo, ekstradimi i të shumëkërkuarit nuk po del të jetë i lehtë.
Nga ministria e Drejtësisë kanë thënë për lajmi.net, se ata nuk kanë pranuar ndonjë shkresë apo njoftim lidhur me personin në fjalë.
Ata japin vërejtje se procedura e ekstradimit mund të zgjasë më shumë se një vit.
“Lidhur me personin në fjalë, ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar asnjë informacion apo shkresë në ministria e Drejtësisë e Malit të Zi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Drejtësisë për lajmi.net.
“Ndërsa lidhur me procedurat e ekstradimit në Mal të Zi, ju lutem vëreni se procedurat e rregullta të ekstradimit mund të zgjasin deri në një vit apo edhe më shumë”, thonë tutje nga ministria e Drejtësisë.