Fjalë Kyçe

Kosovës i nevojitet Qeveri e drejtuar nga LDK-ja

Kosovës i nevojitet Qeveri e drejtuar nga LDK-ja

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Kosovës, si kurrë më parë, i nevojitet Qeveri e formuar nga partitë e tanishme të opozitës, e drejtuar nga LDK si parti më e madhe në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka shkruar se rrëzimi sa më i shpejtë i koalicionit PAN e ka kuptimin e vet, në qoftë se pas kësaj ndodhin ndryshime përmbajtjesore në strukturën dhe përmbajtjen e qeverisjes së vendit.

Na duhet një qeveri që do ta drejtojë vendin më shumë se një mandat, me partnerë që i qëndrojnë besnik marrëveshjes. Në më pak se tre vjet të qeverisjes për herë të parë pas luftës, ia dhamë drejtimin zhvillimit ekonomik të vendit, luftuam krimin dhe korrupsionin, stabilizuam buxhetin, avancuam marrëdhëniet me BE-në dhe me SHBA-të, filluam ç’kapjen e doganave, administratës tatimore dhe organeve tjera vitale për vendin, plotësuam 94 nga 95 kriteret për liberalizim të vizave”, ka shkruar Mustafa.

Më tej thekson se, koalicioni që erdhi pas tyre e gjeti shtetin mjaftë të konsoliduar por rrënoi çdo gjë.

“Prandaj duhet të punojmë dhe të organizohemi që në të ardhmen të mos na rrënojnë rrënuesit”, ka shkruar tutje ai.

Sipas Mustafës, Qeveria duhet të bëhet para së gjithash mbi bazën e vlerësimeve dhe gjykimeve të thella, me njerëz që kryejnë punë për Kosovën, që e ruajnë shtetin e Kosovës dhe territorin e saj, që nuk janë të shantazhuar dhe të korruptuar.

“Na nevojitet thellim i partneritetit me ndërkombëtarët, mbi baza të vlerave që vlejnë për ata dhe për ne, dhe jo vetëm për ne, siç po ndodhë jo rrallë”, ka shkruar në fund kreu i LDK-së.