Fjalë Kyçe

KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve në Ferizaj, Shtime e Podujevë

KQZ certifikon rezultatet e zgjedhjeve në Ferizaj, Shtime e Podujevë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve në Ferizaj, Shtime dhe Podujevë.

Në Ferizaj ka fituar Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në dy komunat tjera do të garohet për herë të dytë më 14 nëntor.

Në mbledhjen e sotme, KQZ ka shpallur zgjedhjet për 38 kuvende komunale. LDK e PDK janë partitë me më së shumti këshilltarë komunalë në tërë vendin – 206. Ndërkaq, LVV ka siguruar 193 ulëse në Kuvendet Komunale me mbi 168 mijë vota.

Kryesuesi Kreshnik Radoniqi tha se fitues i zgjedhjeve në komunën e Ferizaj është Agim Aliu nga PDK-ja.

“Kemi certifikimin e rezultateve për kryetar komune në Ferizaj, kryetar është zgjedhur Agim Aliu nga PDK-ja me 30 mijë e 627 vota ose 62.38 për qind. Me vota unanime certifikohet rezultati për kryetar komune në Ferizaj, me fitues Agim Aliu. Për kryetar të Shtimes, në raundin e dytë shkojnë kandidatët Qemajl Aliu nga LVV me 45.29 për qind dhe Naim Ismajli nga PDK me 44.23 për qind”, tha Radoniqi.

Edhe në Podujevë do të garohet për herë të dytë mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Në raundin e dytë do të shkojnë kandidatët Ekrem Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 44.20 për qind dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje me 44.16 për qind… për komunën e Kllokotit do të presim ose gjatë ditës ose në mbledhjen e radhës”, ka thënë ai.

Por, për votat në Shtime ka pasur ankesa anëtari i PDK-së, Arianit Elshani.

“PZAP ka hedhur poshtë kërkesën e kandidatit të PDK-së, në këtë rast shefit të shtabit që ka qenë kërkesë e tij. Me arsyetimin se KQZ-ja ka bërë përmirësimet dhe këtë përmirësim. Dhe këtë përmirësim unë nuk e pash në vendim. Kjo është arsyeja pse e ngrita këtë çështje. Pra, ne kemi një vendim të PZAP-së, e cila thotë se KQZ-ja ka bërë përmirësimet. Kurse në rekomandimin që vjen sot në vendim nuk evidentohet ky përmirësim”, ka thënë Elshani.

Më pas u tha se ky është një gabim teknik dhe se PDK në Shtime ka siguruar 44.54 për qind të votave. Megjithatë, Alim Rama nga LVV nuk ka pranuar të votojë për certifikimin e këtyre rezultateve.

“Raporti i sistemit nga QNR thotë Qemajl Aliu- pesë mijë e 964 vota, 45.29 për qind. Naim Ismajli, pesë mijë e 824 vota, 44.23 për qind. Bedri Zeqiri, një mijë e 361. Këto janë prej QNR-së. Ku e di unë kur janë nxjerrë. Unë i kam vetëm këto, nuk kam tjera. Nuk mund të votoj rezultate të tjera”, ka thënë ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare për 1002 këshilltarë komunale. Sipas këtyre rezultateve, LDK dhe PDK kanë më së shumti asamblistë, nga 206 secila në tërë vendin.

Ndërkaq, LVV ka siguruar 193 ulëse në Kuvendet Komunale me mbi 168 mijë vota. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në tërë vendin do të ketë 120 asamblistë. Nisma ka siguruar 21 ulëse, ndërsa Aleanca Kosova e Re do të ketë tetë asamblistë.

Lista e pavarur e kandidatit Bekim Jashari do të ketë në Skenderaj 10 ulëse, ndërsa Lista Serbe në komunat ku ka garuar do të ketë 147 këshilltarë komunalë./KosovaPress/