Pas vendimit të Gjykatës Supreme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me procedimin konform vendimit të kësaj gjykate, kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.
Ai tha se meqenëse bëhet fjalë për fletëvotime nga jashtë vendit, kemi filluar me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime. Procesi i vlerësimit është i domosdoshëm pasi vetëm në këtë mënyrë ne arrijmë të vërtetojmë nëse pakoja me fletëvotim është dërguar nga personi i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit.
Gjithashtu, në këtë proces ne arrijmë të dijmë nëse brenda një dërgese ka më shumë se një pako me fletëvotime.
Pra, duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar
4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212.
Elezi po ashtu ka treguar se pse u refuzuan rreth 1 mijë e 212 vota të diasporës.
Arsyet e refuzimit të tyre kategorizohen në 5 grupe si në vijim:
535 raste kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që nuk janë regjistruar suksesshëm si votues në listën votuese jashtë Kosovës;
115 raste janë kur kanë dërguar pako me fletëvotime persona që janë refuzuar për t’u regjisturar si votues jashtë Kosovës;
128 raste të tjera që kanë dërguar fletëvotime persona që nuk kanë dërguar kopje të dokumentit për t’u identifikuar;
159 raste kur personat kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë; dhe
275 raste kur personat që kanë dërguar fletëvotime kanë pasur kopje të dokumentit me afat të skaduar.
Pra, vetëm zarfet e supozuara me fletëvotime do të numërohen këtu në QNR, e që janë gjithsejt 4 mijë e 670.